Në Serbi e nostrifikoi diplomën për 33 ditë, në Kosovë as pas 555 ditëve!
Qendra Kombëtare për Njohje është paditur nga një profesor që për më shumë se 18 muaj nuk ka marrë përgjigje për mosnostrifikimin e diplomës së doktoraturës, të fituar në Universitetin e Tiranës.
Shefket Jakupi, nga Konçuli i Komunës së Bujanoci, thotë se është shkelur Udhëzimi administrativ për njohjen e gradave të fituara jashtë vendit, derisa në Ministrinë e Arsimit thonë se pavarësisht rekomandimit të ekspertëve për njohje të diplomës, një gjë e tillë nuk mund të bëhet pa njohjen edhe të diplomave paraprake, raporton Titulli.com.
Në përgjigjen e MASHT-it për këtë rast theksohet se komisioni profesional i ekspertëve ka rekomanduar njohjen e gradës.
Gjithashtu është bërë e ditur se Këshilli Kombëtar për Njohje, në mbledhjen e para tre javëve, ka marrë qëndrim që për lëndët e ngjashme të organizojnë një takim në formë punëtorie për të marrë një vendim përfundimtar.
“Tani për here të fundit po ju drejtohem që në mbledhjen e së hënës të nxirret një vendim , që të më mundësohet ti kërkoj drejtat e mia përmes drejtësisë. Të njetën diplomë e kamë të nostrifikuar në Serbi për 33 ditë, e në Kosovë 555 ende pa përgjigje”, thuhet në reagimin e profesorit Shefket Jakupi.
Ai mëtej thekson se në bazë të mendimit të dhënë nga Komisioni i ekspertëve, Komisioni Kombëtar për Njohje do të vendosë për ose kundër njohjes së dokumentit.
“Në bazë të këtij udhëzimi Komisioni Kombëtar për njohje, duhet të nxjerr vendim mbi njohjen e gradës shkencore “Doktor”, data e aplikimit ka qenë në bazë të kërkesës nr.7574 të dates 30.12.2013 njohjen e gradës shkencore “DOKTOR” (dr.sc) të lëshuar nga: Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) – Universitet Publik – Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Kamëz-Tiranë, Departamenti: Financë-Kontabilitet. Por fatëkeqësishtë ata mbajnë në heshtje këtë çështje pa përgjigje me shkrimë deri në këtë moment, shkruan Jakupi.
Lidhur me këtë rast ai i është drejtuar edhe Avokatit të Popullit në Kosovë, Hilmi Jashari, i cili ka shqyrtuar ankesën e palës, duke e vlerësuar si të pranueshme ankesën për të vazhduar hetimet eventuale për shkelje të të drejtave të njeriut.
http://titulli.com/index.php?m=post&s=15454
