Kryeprokurori i Shtetit Ismet Kabashi ka deklaruar se pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Kosovë më 3 shtator, Prokuroria ka nisur procedurën për 32 raste, kundër gjithsej 58 personave. Kabashi ka sqaruar në një emision të emituar për rrjetin e televizioneve në gjuhën serbe se fjala është për të dyshuarit për vepra penale lidhur me procesin zgjedhor, duke theksuar se shumica e këtyre veprave penale ka të bëjë për dhënie dhe marrje ryshfeti.
“Nga ky numër 9 persona gjenden në paraburgim, ndaj 5 personave është dhënë urdhër i paraqitjes në stacionin e policisë, ndërsa kundër të tjerëve po zhvillohet procedura e rregullt”, ka thënë Kabashi, transmeton koha.
Duke folur për veriun e Kosovës, Kryeprokurori i Shtetit ka thënë se Ligji penal i Kosovës vlen edhe për atë pjesë të Kosovës, porse ekzistojnë, siç ka thënë, probleme rreth zbatimit të ligjeve, që sipas tij, së shpejti do të zgjidhen.
“Në Bruksel po zhvillohen bisedime për integrimin e sistemit gjyqësor i cili vepron atje (në veri) dhe pres që kjo të ndodhë së shpejti, nëse jo deri në fund të vitit, atëherë në fillim të vitit tjetër”, ka sqaruar Kabashi.