Organizuar nga Shoqata e Reumatologëve të Kosovës dhe mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë, sot në Prishtinë i ka filluar punimet Kongresi i 3-të Kombëtar të Reumatologëve të Kosovës me pjesëmarrje ndërkombëtare.
Në këtë konferencë po marrin pjesë reumatologë përveç nga Kosova edhe nga Shqipëria, Italia, Kroacia, Britania e Madhe, Maqedonia, Bosnja e Hercegovina dhe vende të tjera.
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani tha se në kohën kur Ministria e Shëndetësisë po shtyn para zbatimin e një reforme gjithëpërfshirëse të sistemit, profesionistët e përgatitur janë pa dyshim hallka kryesore e kësaj reforme që synim kryesor ka përmirësimin dhe lidhjen e performancës me përgjegjësi , në të cilin proces aktivitetet e edukimit të vazhduar do të jenë rruga e duhur për ndërtimin e vlerave në shkencën e mjekësisë dhe ngritjen e mëtejme profesionale.
“Siç jeni në dijeni, pas shumë vjetësh, Ministria e Shëndetësisë, ka filluar sivjet për herë të parë me procesin e licencimit dhe ri-licencimit të profesionistëve shëndetësor me kritere profesionale. Dhe, ajo që kemi vërejtur brenda një periudhë shumë të shkurtër është interesimi që ky proces ka nxitur në mesin e profesionistëve, një fakt ky që na bën të besojmë se kemi nisur një proces që ka provokuar një përgjigje pozitive dhe interesim të jashtëzakonshëm në mesin e mjekëve, stomatologëve, infermierëve, farmacistëve dhe fizioterapeutëve për të ngritur shkathtësitë e tyre profesionale në një nivel më të lartë”, tha Ministri Rrahmani.
Duke folur për reformën në shëndetësi, Ministri Imet Rrahmani, tha se zhvillimi i saj kërkon kontributin e secilit. “Na duhet të flasim çdo ditë për sukseset tona të cilat nuk janë të pakta, të mësojmë nga gabimet e bëra dhe ta kuptojmë se secili prej nesh, kemi përgjegjësi që shëndetësisë dhe qytetarëve tanë t’u shërbejmë me përkushtim”.
Ai tha se reforma shëndetësore që si pikë kthese do ta ketë fillimin e implementimit të sigurimeve shëndetësore duke nisur nga janari 2017 me fillimin e mbledhjes së kontributeve për sigurimet shëndetësore, kërkon resurse, përkushtim, bashkëpunim të ngushtë dhe mbi të gjitha besim në mesin tonë për sukses.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, z. Marjan Demaj, tha se kongresi paraqet një takim shumë të rëndësishëm profesional ku njerëz me komptencxë nga fusha e reumatologjisë nga vende të ndryshme të botës, do të flasin për zhvillimet në këtë lëmi mjekësore dhe impaktin që sëmundjet reumatike kanë në shëndetin e individit, pore dhe koston që bartin me vete. Ai tha se reumatologjia si shkencë i ka pasur zhvillimet e veta të hovshme si në fushën e diagnostikimit ashtu edhe të trajtimit, që ka rezultuar me përmirësim të kualitetit të jetës dhe rritje të jetëgjatësisë.
Kryetari i Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, tha se organizimet e tilla janë shumë të rëndësishme, ndërsa vlerësoi se koha është që në politikat publike gjithnjë e më shumë të përdoren evidencat mjekësore për të parë a ka pasur progres në fushat e caktuara dhe si mund të ndërhyhet për përmirësimin e indikatorëvë shëndetësor, aty ku statistikat tregojnë se ka nevojë për përmirësime.
Në emër të SHSKUK-së, kongresin e ka përshëndetur profesori Hilmi Dauti.
Kurse, kryetari i Shoqatës së Reumatologëve të Kosovës, z. Sylejman Rexhepi, vlerësoi se Kongresi do të rezultojë me aktivitete profesionale që do të ndihmojnë në këmbimin e eksperiencave dhe rritjen e aftësive profesionale lidhur me sëmundjet reuamatike dhe ndikimin që kanë ato në shëndetin e qytetarëve.
“Kongresi tashmë ka krijuar një traditë, e cila do të rezultojë e suksesshme dhe e dobishme për profesionistët tanë”, tha ai.
Kongresi do t’i vazhdojë punimet edhe nesër.