DYLON

Në Prishtinë po mbahet Konferenca rajonale për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve

Avatar photo Redaksia

Organizuar nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) në bashkëpunim me UNDP-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë sot në Prishtinë i ka filluar punimet Konferenca rajonale dy ditore me temën: ”Mbrojtja e të drejtave të pacientëve-sukseset dhe sfidat”.

Kjo është konferenca e parë e këtij lloji në Kosovë dhe ka për qëllim të prezantojë praktikën e mbrojtjes së të drejtave të pacientëve në Kosovë dhe të mundësoj shkëmbimin e përvojave mes vendeve të rajonit në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pacientëve.

EkoHigjiena

Gjithashtu, në këtë konferencë po diskutohet edhe për institucionalizimin e Avokatit të Pacientëve, praktikë kjo e aplikuar në vendet e rajonit dhe Evropës.

Duke përshëndetur punimet e kësaj konference, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, tha se ajo paraqet një përvojë të re në relacionet midis pacientëve, përkatësisht shoqatës që mbron të drejtat e tyre me institucionet dhe qytetarët, ndërkohë që theksoi faktin se MSh ka krijuar hapësirë që PRAK të jetë e kyçur aktivisht në mekanizma të shumtë institucionalë shëndetësor, për të fuqizuar të drejtat e pacientëve dhe për të siguruar trajtimin sa më të mirë të tyre me rastin e marrjes së shërbimeve shëndetësore.

Ministri tha se përveç legjislacionit, Ministria ka krijuar edhe mekanizma lehtësues për sigurimin e të drejtave të pacientëve, forma të reja të komunikimit me ta dhe me përfaqësuesit e tyre, po angazhohet të rris kapacitetet inspektuese dhe monitoruese. “Kjo do të mundësojë të rritet transparenca dhe të zhvillohet një komunikim më i mirë me qëllim që pacientët të jenë të kyçur edhe në vendimmarrjen dhe hartimin e politikave në shëndetësi.

Patrik Etienne, drejtor i Përgjithshëm i Zyrës Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë (SDC), tha se përmes projektit për sigurimin e shërbimeve shëndetësore të qasshme për të gjithë qytetarët, SDC, ka ofruar mbështetje që PRAK të jetë e përfshirë në mekanizmat që ndihmojnë avancimin e të drejtave të pacientëve në Kosovë, ndërsa konferenca tregon se në Kosovë ka potencial që të fuqizohet bashkëpunimi në këtë drejtim..

Drejtori i SHSKUK-së, Curr Gjocaj, tha se përveç krijimit të një legjislacioni adekuat, ku të drejtat e qytetarëve dhe të profesionistëve shëndetësor në kujdesin shëndetësor janë definuar mirë, institucionet shëndetësore i kanë ofruar qasje PRAK-ut me qëllim që të bashkëpunohet për realizimin e të drejtave të pacientëve në Kosovë.

Kurse, Besim Kodra, përfaqësues i PRAK, ka bërë një prezantim të zhvillimit të kësaj shoqate prej themelimit të saj më 2013 duke theksuar se, fakti që institucionet shëndetësore (MSh dhe ShSKUK) kanë pranuar që një organizatë e pavarur të jetë edhe fizikisht brenda tyre, tregon për një bashkëpunim të mirë, por që për këtë organizatë tek tani fillon puna e madhe, pasi që, monitorimi i deritanishëm prej tyre tregon se janë identifikuar probleme të shumta si mungesa e barnave, kushtet higjienike jo adekuate në nivele të ndryshme, listat e gjata të pritjeve, gabime mjekësore dhe aparaturë jo adekuate, të cilat ndikojnë në (mos) realizimin e plotë të drejtave të pacientëve në Kosovës.

Me prezantime të ndryshme rreth të drejtave të pacientëve, rëndësisë së përfshirjes së pacientëve në kujdesin shëndetësor, fuqizimin e rolit të tyre, mbulimin universal shëndetësor dhe rolit të pacientëve në sistemin shëndetësor, ka pasur disa prezantime nga Dula Rusinoviq Sunara nga Kroacia, Selena Imerovic nga Forumi Evropian e i Pacientëve, Skënder Syla (OBSh) dhe prezantues të tjerë.

Në këtë konferencë po marrin pjesë përfaqësues të Shoqatave të pacientëve nga Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria, Serbia , Institucionet Evropiane që merren me të drejtat e pacientëve, (Rrjeti i shoqatave të pacientëve të Evropës ACN, Forumi Evropian i Pacientëve EPF) si dhe Institucionet e Kosovës MSh, Institucioni i Avokatit të Popullit, drejtorët e spitaleve, Odat mjekësore, Shoqatat e pacientëve në vend, etj.

Konferenca organizohet në kuadër të Projektit të Protektorit (zyra e ankesave të pacientëve) i cili zhvillohet nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë në bashkëpunim me UNDP dhe Ministrinë e Shëndetësisë.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.