/Kjo konferencë, po mbahet në kuadër të aktiviteteve profesionale dhe me qëllim të ndërgjegjësimit lidhur me kancerin e gjirit në kuadër të Muajit Tetor si muaj i luftës kundër kancerit të gjirit, organizuar nga Shoqata e Onkologëve të Kosovës dhe mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë/
Organizuar nga Shoqata e Onkologëve të Kosovës dhe mbështetur edhe nga Ministria e Shëndetësisë, sot në Prishtinë po mbahet Konferenca profesionale me temën: Metastazat te Kanceri i Gjirit”. Kjo konferencë, po mbahet në kuadër të aktiviteteve profesionale dhe me qëllim të ndërgjegjësimit lidhur me kancerin e gjirit në kuadër të Muajit Tetor si muaj i luftës kundër kancerit të gjirit.
Duke ju drejtuar një audience me shumë pjesëmarrës, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se ngjarjet dhe angazhimet e këtilla nga profesionistët po kurorëzohen me rezultate konkrete, të prekshme dhe për shumë kë edhe befasuese, pasi që, përmes angazhimeve profesionale, po del në sipërfaqe, po fokusohet dhe po ndriçohet puna e madhe e të gjithëve në arritjen e njohurive të reja shkencore dhe profesionale ndër vite.
“Percepcioni se në shëndetësi ka përgjumje, nuk ka aktivitete edukative, ka vetëm interesa personale dhe se pacienti është jashtë çdo fokusi, tashmë ka filluar të thyhet, të demolohet dhe kundër-argumentohet me angazhimin e të gjithëve, Ministrisë, shoqatave profesionale, odave, sindikatës dhe vet mantel-bardhëve. Sepse, vetëm kështu dhe sigurt do të kthehet dinjiteti dhe reputacioni i nëpërkëmbur i profesionistëve shëndetësor”, tha Ministri Rrahmani.
Në këtë proces, Ministri Rrahmani, tha se SHOK dhe Klinika e Onkologjisë kanë një meritë të madhe, duke ndikuar që përmes punës së tyre, te këtë një pasqyrë krejt tjetër për rezultatet në luftën kundër sëmundjeve malinje, duke e bërë këtë shërbim njërin prej shërbimeve më të suksesshme brenda sistemit shëndetësor kosovar.
Ministri shprehu respekt edhe për punën e Bordit Kundër Kancerit, profesionistët në QKMF të komunave, Klinikën e Radiologjisë, grupin e Grave Deputete dhe donatorët, Shoqatën Jeta- Vita dhe drejtuesen e saj dhe të gjithë ata që po kontribuojnë në ngritjen e ndërgjegjësimit dhe luftën e drejtpërdrejt kundër kancerit.
Kryetari i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, dr. Arben Bislimi, tha se në kuadër të Muajit të luftës kundër kancerit të gjirit ka zhvilluar paralelisht dy aktivitete: 9 vizita e ligjërata vetëdijesuese në komuna të Kosovës me gra së bashku me shoqatën Jeta-Vita ku është bashkëbiseduar për zbulimin e hershëm dhe konferencën profesionale me pjesëmarrje.
Konferenca e sotme, tha dr. Bislimi, dëshmon për domosdonë e menaxhimit multidiciplinar të kancerit të gjirit, që dëshmohet edhe me pjesëmarrjen dhe interesimin e madh.
Dr. Curr Gjocaj, drejtor i SHSKUK-së, ka përshëndetur konferencën dhe pjesëmarrësit e saj duke vlerësuar se organizimet profesionale i kontribuojnë ngritjes së shkathtësive profesionale dhe kanë ndikim të drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.
Sa u përket shërbimeve onkologjike në Kosovë, ai tha se Instituti Onkologjik, ka bërë që të jetë një prej shërbimeve më të respektuara në sistemin shëndetësor në Kosovë dhe të gjithë të krenohen me të.
Gjatë ditës janë trajtuar një varg temash të lidhura ekskluzivisht për kancerin e gjirit.