Në prill mbledhja e Qeverive Kosovë-Maqedoni
Kryeministri i vendit, Isa Mustafa të martën bëri të ditur se po planifikohet që gjatë prillit të mbahet një takim i përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë.
“I kemi shpërndarë çështjet e interesit për të cilat e kemi edhe iniciativën për disa çështje nga Qeveria maqedonase. Do të bëjmë përpjekje që edhe ne t’i konkretizojmë propozimet dhe orientimet tona në një periudhë shumë të shkurtër dhe do ta harmonizojmë që takimi mundësisht të mbahet gjatë muajit prill, në të cilin po ashtu do të merremi vesh për çështjet e caktuara, të cilat do ta lehtësojnë bashkëpunimin ekonomik dhe bashkëpunimin në fushat tjera me Maqedoninë”, tha kryeministri Mustafa.
Mustafa gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ka përkujtuar edhe 16 vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s në caqet ushtarake, policore dhe paramilitare serbe.
“Dëshiroj që sot, pas 16 viteve, në emër të Qeverisë të Republikës së Kosovës, në emër të popullit të Kosovës, të shpreh mirënjohjen tonë të madhe dhe të thellë për vendet anëtare të NATO-s dhe të them se 24 marsi shënon fillimin e fundit të luftës së Kosovës dhe fillimin e lirisë së vendit tonë. 16 vjet pas, Kosovën ne e përjetojmë si vend të lirë, sovran dhe të pavarur dhe vend, i cili synon të integrohet në Bashkimin Evropian. Dëshiroj që veçmas të falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë të vendit tonë për një kontribut të madh në mbrojtjen e civilëve dhe në mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe në përkrahjen dhe ndihmën që i dhanë lirisë dhe pavarësisë”, theksoi kryeministri Isa Mustafa.
