(2LONLINE) – Në kuadër të bashkëpunimit në mes të Komunës së Vitisë, Gjykatës dhe Policisë së Kosovës, sot Policia e Kosovës dhe zyrtarët e pylltarisë kanë bërë konfiskimin e rreth 25m dru zjarri dhe atë në tregun e fshatit Pozheran.
Drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Veton Ademi tha se në kuadër të bashkëpunimit dhe takimeve të shpeshta që janë mbajtur në mes Komunës, Gjykatës dhe Policisë së Kosovës, sot në fshatin Pozheran është realizuar me suksese konfiskimi i rreth 25m dru zjarri të cilat ishin të vendosura në dy kamionë dhe dy furgona.
“Pas takimeve të shumta të cilat i kemi mbajtur me organet kompetente për mbrojtjen e pyjeve, që nga sot kemi vendosur pikat mobile të kontrollit dhe atë në rrugët kyçe dhe në tregjet e Komunës së Vitisë, si rezultat i këtij bashkëpunimi sot menjëherë kemi bërë konfiskimin e drunjtëve të zjarrit dhe atë në tregun e fshatit Pozheran” u shpreh Ademi.
Ai potencoi se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe falënderoj Policinë e Kosovës për gatishmërinë e tyre për të na ndihmuar në mbrojtjen e pyjeve në Komunën tonë.
“Falënderoj Policinë e Kosovës në veçanti komandantin z. Agim Lipovica për gatishmërinë e tyre për të na ndihmuar në parandalimin e degradimit të pyjeve, gjithashtu jemi duke i shqyrtuar mundësitë ligjore për konfiskimin e mjeteve që përdorën për transportimin e drunjëve që janë prerë në mënyrë ilegale” theksoi Ademi. /2lonline/