Në politikë kush janë më të suksesshëm, burrat apo gratë?!

Në politikë kush janë më të suksesshëm, burrat apo gratë?!

Kjo ishte pyetja e cila ngjalli debat konstruktiv në një takim me burra dhe gra. Dëshira për tu përgjigjur ishte e madhe, e pritshme nga të gjithë ne dhe mendimet e shprehura ndoshta edhe mund t’i paramendoni.

Shkruan: Teuta Selishta

Fjalimet filluan me mendime që shumë herë i dëgjojmë, se kinse politika është e rëndë për gruan. Gratë nuk e kuptojnë politikën dhe veprojnë pa menduar. Gratë janë emocionale. Gratë nuk dijn si të gjenden përballë vendimeve madhore etj etj. Kishte edhe prej atyre që thonin se politika është shkollë që mund ta mësoje dhe praktikoje çdokush pavarsisht gjinisë.

Roli i gruas në shoqëri nuk përfundon brenda 4 mureve të shtëpisë. Në fakt, shoqëria ndërtohet nga njerëzit, njerëzit linden, rriten, edukohen e arsimohen nga gruaja, dhe kjo është veç se fillimi i sakrificave të një gruaje në shoqëri.

Është e vërtetë që gratë në natyrshmërinë e tyre janë emocionale, por poashtu njihen si të kthyeshme, dhe nuk mbajnë inat shumë gjatë, përkundër burrave që inati tek ata mund të zgjasë me dekada, e po të jetonin shumë ndoshta edhe me shekuj.

Gratë jemi frikacake në shumë raste, e ndoshta frikësohemi edhe nga mushkonjat, po nuk frikësohemi të e lëjmë shtëpinë dhe familjen ku jemi lindur e rritur, dhe të shkojmë në familjen e dikujt tjetër, të ambientohemi aty, ti durojm e mësohemi me traditat e zakonet e tyre, dhe të bëhemi pjesë e pandashme në atë familje. E kjo do të thotë se frikësohemi ndoshta nga mushkonjat, edhe eventualisht nga ndonjë luftë e mundshme, por i pranojmë rregullat e lojës dhe i rrespektojm ato.

Në jetën e përditshme kemi shumë gra të cilat janë figura kyqe në politikat botërore. Fillojm me znj.Angela Merkel, e cila është kryetare e CDU-së në Gjermani, dhe Kancelare e Gjermanisë, e kjo do të thotë se udhëheq politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht me shtetin më të fuqishëm në Evropë, e ndër më të fuqishmit në Botë. Hillary Klinton, zonja e cila përfaqësoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në politikat e jashtme. Takoi shumë burra të cilët u dorëzuan përballë aftësisë së menaxhimit të kësaj pozite nga ajo. Marin Le Pen, një zonjë Franceze e cila ishte e vetmja kandidate serioze për të fituar përballë kandidatit tjetër dhe presidentit të tanishëm Makron.

Përveç faktit se ka shumë gra politikane të cilave u janë besuar pozita kyqe në shtete të fuqishme botërore, ka edhe në vendin tonë gra të cilat kanë dëshmuar se janë të afta, madje më të afta se shumë burra për të udhëhequr qoftë në nivel lokal ose shtetërorë, e njëra ndër to është edhe kryetarja e Alternativës znj.Mimoza Kusari Lila. Nëse Angela Merkel është zonja e hekurt e Evropës, Mimoza Kusari-Lila është zonja e hekurt e Kosovës. E në anën tjetër që nga viti 1999 e deri më sot, shoqëria është e paknaqur me keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e parasë pubike, frikën për të marrë vendime të guximshme dhe të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni nga ”burrat” në krye të shtetit tonë.

Nuk do të ndaleshim së sjelluri shembuj e shembuj nga gra të suksesshme e të afta në politikë, por ajo çka realisht duhet të reflektohet në shoqërinë tonë si mendim ose përceptim, është fakti se gjinia nuk e përcakton suksesin ose dështimin e dikujt, aftësinë ose paaftësinë. Është edukata familjare që nga fëmijëria, rrethi familjar, shkolla, pedagogu, kultura e shoqërisë dhe mbi gjitha përgaditja profesionale që dikë e bënë të ketë sukses ose dështim në politikë, dhe jo vetëm.

Roli i gruas dhe burrae në shoqëri është e barabartë dhe askush nuk është më i privilegjuar në këtë aspekt. Prandaj, gratë duhet të marrin vendime të guximshme, të bëhen pjesë e partisë brenda së cilës i gjenë idetë, mendimet, mentalitetin dhe politikbërjen që e dëshiron ajo, dhe të mos mbetet vetëm një spektatore në zhvillimet politike në vend, por të jetë pjesë e proceseve, të merrë obligime dhe të jetë në shërbim të qytetarëve siç edhe është natyrshmëri e saj.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE