DYLON

Në përvjetorin e demonstratave të vitit 1981

Në përvjetorin  e demonstratave të vitit 1981
Avatar photo Redaksia

Si përfundim i krejt këtyre ngjarjeve dramatike, gjithsesi Pranvera e Tetëdhjetëenjëshit është kthesa epokale e shqiptarëve nën Jugosllavinë e AVNOJ-it

Mehmetali Rexhepi

Pas tre dhjetëvjeçarëve të Demostratave të Vitit 1981, mund të bëhet bilanci më i plotë: i peshës politike, i çmimit të jetës, i vlerësimit edhe i këndeve të pandriçuara për to, i përshpejtimit të ritmeve dhe kahjes, që duhej të merrte ideja dhe veprimi kombëtar…

EkoHigjiena

Pohimet e lojalistëve të “legales” së pushtetit, se Demostratat e Njëmijëenëntëqindetetëdhjetëenjëshit, qoftë kur e thoshin të shtyrë nga vartësit, ose duke pikënisur nga pozita vetanake, se ato qenë “provokim” për rrezikimin e Federatës Jugosllave e, veçmas të shqiptarëve, krejtësisht inferiorë në atë rregullim federativ, se Demostratat qenë “të parakohshme”, “të dëmshme” e të ngjajshme, u tretën si vesa e mëngjesit në diellin e verës.

Edhe brenda funksionimit të Federatës Jugosllave, funksionuan klanet për mbizotërimin e drejtimit të ekonomisë e politikës në Jugosllavi : klani serb dhe ai kroat-slloven.

Shqiptarët në këtë Federatë nuk kishin asgjë të përbashkët me ata që bënë kulmin e kësaj federate, pos luftës së përbashkët antifashiste, renditur në koalicionin botëror Antifashist, të viktimizuar e të martirizuar në mijëra, sidomos pas LDB-së, duke u bërë pre e fushatave të njëpasnjëshme të gjithë mandatarëve serbë dhe të tjerëve në shërbim të politikës serbe.

Lufta e Dytë Botërore, për më shumë se gjysmën e shqiptarëve nuk solli çlirimin kombëtar të tyre.Kjo luftë si shpërblim për shqiptarët bëri copëzimin e tyre në katër subjekte politike administrative sllave.

Herë fshehur, herë hapur përbindëshi serb i Federatës, gjithnjë mëtoi gllabërimin e përbërësve të saj, sipas programimit luftë-nxitës: aty ku është edhe një serb i vetëm, aty është Serbia. Deviza e këtillë e nacionalistëve të skajshëm serbë, do ta sjellë gjakderdhjen, gjenocidin dhe krimin shtetëror në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.

*
Ku ndodheshin shqiptarët në vitet e shtatëdhjeta?”Lufta e ftoftë” mes Natos dhe Traktatit të Varshavës, në vitet e shtatëdhjeta të shekullit njëzet, mori frymë për shtendosje, ndonëse pushtimi i Çekosllovakisë në vitin 1968, riktheu dimrin rus në pranverën e Pragës.

Rezistenca gjithpopullore prirë nga lëvizjet studentore, jo vetëm në Çekosllovaki, do të jetë faktori ndër-reflektues, i ndërsjellë, për klimën ndikuese edhe tek ne, kur priteshin ndryshimet në amandamentet e Kushtetutës së Federatës dhe të njësive federale, poashtu edhe të statusit të Kosovës që ishte nën Serbi.

Vetëdijësimi i shqiptarëve për ndryshimin e pozitës së tyre ishte tejet i penguar.Në këtë klimë, për t’iu dhënë kahje kërkesave për ndryshimin e statusit të Kosovës, ndodhi Njëmijëenëntëqindegjashtëdhjetëeteta, jo në Pranverën e Pragës, por në Nëntorin e Lirisë për shqiptarët.

Gjashtëdhjetëeteta është pararendësja e artikulimit të kërkesave për barabarësi me popujt tjerë sllavë, për universitet, për përdorim institucional të shqipes, për simbolin kombëtar, e tjera, por nuk u zgjidh dot qenia e statusit të republikës për shqiptarët. Andaj, barrën e përmasës kombëtare për zgjidhjen e statusit të republikës nën Federatë, pas katërmbëdhjetë vitesh, do ta merrte sivëllai i Gjashtëdhjetëetetës Pranvera e Njëmijëenëntëqindetetëdhjetëenjëshit.

Rikthimin në periudhën e diskutimeve kushtetuese, të një frymëmarrjeje më liberale, pas pezullimit të diktaturës së Rankoviqit, Titoja po mëtonte ta arrinte përmes barazpeshës mes klaneve të papajtueshme: serbëve me satelitët e tyre dhe kroato-sllovenëve. Përfaqësuesit “legal” të shqiptarëve në shtetin jugosllav, nuk e patën guximin që të prinin në kuvendet e komunave të Kosovës, madje edhe në Preshevë e Bujanoc, të këmbëngulej për kërkesën legjitime të ngritjes së statusit të Kosovës në status të republikës brenda Federatës Jugosllave.

*
Përkeqësimi i gjendjes ekonomike-sociale në Kosovë si shkak dhe pasojë e shfrytëzimit nga Beogradi, kurdisja e fushatave ndaj akëcilit personalitet kombëtar, fletarrestet e vazhdueshme politike, qasjet paragjykuese, që nga Akademia e Shkencave e Serbisë deri tek fshatarët e rëndomtë serbë, viktimizimet për etiketime pastaj ndjekjet policore,trumbetimi medial i urrejtjes, shpifjet sistematike të politikajve, të medieve të shkruara e pamore, ngritën diskursin e paragjykimit, që do ta derdhin me mllefin e gjenocidit në dy dekadat vijuese të viteve 1981-1999.

Degradimi dhe zhveshja e Autonomisë së Kosovës të njëmijëenëntëqindeshtatëdhjetëekatrës deri në skeletin e saj, pashmangshëm zgjuan intelegjencën e re shqiptare për gjetjen e mënyrës së kryengritjes…

Tashti “ilegalja” jolojale ndaj strukturave të shtetit e pushtetit mori rolin jetik: për jetë a vdekje! Gjiri i popullit nxori profilin e ideatorëve të vet. Modeli i këtij profili, Adem Demaçi ishte prangosur me dekada, por fryma e idesë së tij gjallëronte. Ideatorë tjerë të veprimit të idesë së Demaçit do ta shtresojnë strumbullarin kombëtar: Metush Krasniqi, Jusuf Gëralla, Ukshin Hoti, Rexhep Mala, Kadri Zeka, Hydajet Hyseni…

Ndërsa Tahir e Nebih Meha 13 Majin e Sigurimit jugosllav, do ta shqyejnë me krismat e pushkëve e gjakut të tyre në epopenë e Prekazit… Pararendës e epopesë së Jasharajve të UÇK-së.

Në ballë të Demostratave të Tetëdhjetëenjëshit doli rinia studentore,klasa punëtore dhe nxënësit. Lëvizja studentore, të cilën historiani patriot, akademik Ali Hadri e quajti “Lulja e Kosovës”.

Përmbysja simbolike e tabakut të ushqimit në kuzhinën e studentëve të Universitetit të Prishtinës, do të jetë gjëma e nismës së një përmbysjeje të paralajmëruar të ngrehinës tiranike. Lëvizja studentore e Universitetit të Prishtinës do të jetë promotorja e Demostratave të Pranverës së vitit 1981, tashmë historike, dhe u zgjerua duke u shtrirë në tërë Kosovën dhe në trojet shqiptare në Maqedoni, në Preshevë, në Bujanoc, në Ulqin e gjetiu.

Demostratat burimin e kishin te gjendja e pakënaqshme sociale dhe pozita nënshtruese e shqiptarëve. Përmbajtja e tyre tërësisht paqësore u shtyp, ngase përballja me policinë e Serbisë dhe njësitet e policisë federale, i shndërruan demostratat në kryengritje të përgjakshme. Gjithsesi në këtë kryengritje spikati tipari heroik i të rinjve dhe të rejave tona, duke ua hapur gjokset djaloshare plumbave e gazit lotsjellës, ujit përvëlues, shkopinjve…

Fyerjet nga qarqet politike, represioni tejet i vrazhdë i policisë, demostratat e qeta i shpien në një kryengritje të pabarabartë gjithpopullore, që gjithsesi tronditi Jugosllavinë edhe Evropën. Mediet botërore kthyen shikimin kah një pikë e ndrydhur që quhej Kosovë. Megjithatë, përqëndrimi tjetër i diplomacisë Euro-Amerikane ishin portet e Polonisë, përkatësisht Lëvizja Sindikale “Solidarnost”, prirë nga Leh Valensa.

*
Pranverën e përgjakshme të vitit 1981, e karakterizoi përmasa gjithpërfshirëse, ndaj pikërisht kjo rrethanë ua humbi logjikën e gjakftoftësisë shtetarëve jugosllavë. Në tubimet e ethshme të partisë shtet, ngjarjet e Tetëdhjetëenjëshit u përkufizuan me togfjalëshat famëkeq, si “kundërrevolucion” , “separatizëm”, “irredentizëm” e izma tjerë. Ishin të vështira rrethanat për tu përballuar të tëra ato gara të përditshme etiketuese, fyese e kërcënuese, e një propagande të shfrenuar, e cila do ta kishte cakun e vet tejet tragjik, siç e pati, jo më shumë se dy dekada më vonë, kur u zbatua gjenocidi që do ta ndërprejë UÇK-ja dhe Aleanca Veri-Atlantike e Nato-s, në qershor të vitit 1999.

Autoritetet e klanit serb e kishin humbur fare logjikën dhe etikën njerëzore në mësymjet e tyre, ngase kërkuan, gjykuan, shqiptuan dhe zbatuan masat policore e gjyqësore drakonike, tipike mesjetare. Për prijësit, organizatorët e përkrahësit e Demostratave u shqiptuan shekuj vite burgimi! Qindra-mijëra shqiptarë u pezulluan nga vendet e tyre të punës. Qindra-mijëra tjerë morën rrugët e mërgimit…

Krahas pasojave për shqiptarët, Demostratat e Tetëdhjetëenjëshit në sytë e botës ia nxorën bojën “idilës jugosllave”, “të mirëqenies e barazisë” mes kombeve e kombësive të Jugosllavisë.

Si përfundim i krejt këtyre ngjarjeve dramatike, gjithsesi Pranvera e Tetëdhjetëenjëshit është kthesa epokale e shqiptarëve nën Jugosllavinë e AVNOJ-it.
*
Pas Njëmijëenëntëqindetetëdhjetëenjëshit, statusi etnik i shqiptarëve të trazuar, tashmë u trazua skajshmërisht nga politika policore… Marrëdhëniet ndëretnike i helmoi politika shoveniste serbe. Në çdo aspekt të veprimtarisë institucionale e publike, kuadrot shqiptare këqyreshin me sy zhbirues, gjithkah , në çdo kënd vigjëlonte syri dhe veshi i dyshimit, i përgjimit, përcjellja nga hafijet si hije, censurohej fjala publike, programet arsimore dhe identiteti… Ndjekja u bë një veprimtari fitimprurëse, lulëzoi gojëtaria diferencuese, hapeshin dyert për dëbime masive, ndërsa frika e kapjes për prangosje i solli gjumit të natës ankthin e pagjumësisë.

Diferencimi dhe përzgjedhja negative, si dhe pezullimi nga detyrat me peshë publike, do të jetë lëndë e përditshme e trajtesave të gazetarisë denoncuese dhe gjykatave partiake.

Posaçërisht gjuha diferencuese, si një ogur i zi, kalëroi në fushën e edukimit e të arsimit shqip. Diferencimi dhe diferencuesit hapnin taborre: pro et contra. Kush përfaqëson, anon, mbështet, simpatizon a mëshirohet për vijën “irredentiste”, “separatiste”, “armiqësore” e këso lloj formulash gërryese, dhe, kush është besnik për zbatimin e direktivave të LKJ-së fantome?! Në këtë mes nuk lejoheshin qasjet e papërcaktuara.

Përmes këtij procesi totalitar vihej në sprovë karakteri njerëzor, vartësia sociale e kryefamiljarëve e kushtëzuar nga një politikë e panatyrshme. Thika diferencuese ishte e mprehtë, përqarëse, mjet i ftohjes mes shokëve e miqve, ngase mëtoi ndarjet, prishjet dhe nënshtrimin. Në vorbullën e këtij procesi famëkeq, pati të atillë që u ligështuan, por edhe nga të tillë që “taktizuan”. Akëcilët, ata që visheshin me demagogji, si mburojë e paskëshin zgjedhur heshtjen, ndonëse heshtja atëbotë nuk mund të ishte kapak i agjentë. Heshtakët morën tiparet e kameleonit.

Më të shumtët arsimues shqiptarë nuk lejuan që t’iu njollosej dinjiteti njerëzor, etik e kombëtar.

Kategoria e dinjitarëve arsimorë do ta përjetojë edhe sprovën tjetër të radhës, dëbimin dhe mbylljen e shkollave shqipe nga okupatori. Por fal vokacionit atdhedashës të tyre, misionin e shenjtë të arsimimit të brezave, do ta vijojnë në gjirin e popullit, në “shtëpitë shkolla”.

*
Ideatorët, prijatarët, bartësit e organizatorët e Tetëdhjetëenjëshit, posaçërisht ata që mbijetuan ferrin burgjeve të okupatorit, por edhe sakrifikuesit që ranë, në sytë e brezave “morën nam me gjak në ballë”, siç shprehej Noli për heroin Bajram Curri.

Tetëdhjetëenjëshi, si kudo, në Kosovë, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Preshevë, Bujanoc, në Kumanovë, në Ulqin e në Gjilan, në Gjermani, Zvicër e Belgjikë, ngriti tiparet e dëshmorëve dhe dinjitarëve tanë, si Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Enver Hadri… Këto figura do të bëheshin modele e shembëlltyra të adhuruara, natyrisht në Kosovë, në rrethe të mbyllura, por në qindra e mijëra zemra …

Këto modele joshëse frymëzuan të tjerë personazhe për tu identifikuar me një shpirtgjerësi të atillë, çfarë e patën ata e ia falën idealit të çlirimit e bashkimit… Ata ranë, por nuk duhej të këputeshin hallkat e vijimësisë…

*
Tetëdhjetëenjëshi solli një moral të paparë deri atëherë. Dhe ai moral nuk u shua asnjëherë përkundër masave represive. Ky moral kultivoi shpirtin solidar, ndërsa aktin e flijimit e shpuri në lartësinë e kultit…

Në mesin tonë ka ende qyqarë që mëtojnë ta fshehin oportunizmin e tyre të atëhershëm dhe të tashëm, përmes teorive anarkike të një “konspiracioni“botëror, për pleksje me faktorët e jashtëm si nxitës të këtyre ngjarjeve, për atë ose sferën tjetër të dominimit… Në këtë mënyrë, këta “urtarë kameleonë”, ende bien lehtë në grackat e përpunuara të konspiracionit të ortodoksisë sllave, dhe injorojnë burimin e ngjizjes iluministe të subjektivitetit të inteligjencës sonë çlirimtare!

Të tëra grupimet e kësaj periudhe, me ngjyrime të jashtme: të majta a të djathta, në brendinë e tyre nuk kishin tjetërçka, përpos zgjidhjes së çështjes shqiptare të pazgjidhur. Prandaj, këto figura të flijueshme do të jenë hallka të forta për t’i lidh brezat e mësymjeve kombëtare: Nacional-Demokratikën me Gjashtëdhjetëetetën, Gjashtëdhjetëetetën me Tetëdhjetëenjëshin, Tetëdhjetëenjëshin me Nëntëdhjetëeshtatën e UÇK-së dhe UÇK-në me koalicionin Veri-Atlantik të NATO-s.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.