/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë vizitës së sotme në Panagjyrin e Gjilanit, është shprehur i lumtur me mbarëvajtjen e tij dhe me numrin e madh të bizneseve që po marrin pjesë në të.
Në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, nënkryetari Rexhep Kadriu dhe drejtorët e zyrtarët komunalë.
Pas bleu një plis, disa libra dhe gjëra të tjera, kryetari Haziri tha se synimi është që të promovohet prodhimi dhe vlerat e regjionit të Anamoravës.
“Ne edhe vitin e kaluar, edhe sivjet e kemi promovuar prodhimin tonë, vlerat tona dhe po shkojmë me rritje. Më vitin e ardhshëm do të jetë edhe më i gjatë, e nuk do të jetë vetëm tri ditë. Do të shikojmë modalitetet tjera. Me rëndësi është që në Panagjyr po marrin pjesë mbi 100 biznese, kryesisht të regjionit tonë dhe që janë prodhime të vendit”, është shprehur kryetari Haziri.
Kreu i Gjilanit ka ftuar qytetarët që të dalin ta vizitojnë Panagjyrin dhe të blejnë prodhimet tona, duke shtuar se ky “është ushqim i sofrës sonë, është prodhim i sofrës sonë, për familjet tona”.
Panairi Regjional i Prodhimeve vendore “Gjilani 2015”, i cili është organizuar nga Drejtoria për Zhvillim Ekonomik e Komunës së Gjilanit në bashkëfinancim me USAID-in, është hapur të enjten, derisa do të mbyllet në mbrëmjen e sotme./2L ONLINE/