DYLON

Në Muzeun Etnografik u vendos violina e prof. Isa Jakupit në njëvjetorin e ndarjes nga jeta

Në Muzeun Etnografik u vendos violina e prof. Isa Jakupit në njëvjetorin e ndarjes nga jeta
Avatar photo Redaksia

Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të ikonës së artit muzikor gjilanas, prof. Isa Jakupi, familja, kolegët dhe dashamirët e muzikës u mblodhën në Muzeun Etnografik të qytetit të Gjilanit, në hapësirën që dikur ishte shtëpia e vjetër e Shkollës së Muzikës, aty ku edhe prof. Jakupi punoi gjatë pjesës më të madhe të jetës së tij dhe ku zhvilloi rrugëtimin e tij artistik.

Të pranishmit,në emër të familjes Jakupi, i përshëndeti djali i tij Kushtrimi i cili theksoi se familja Jakupi sot po e vendosë violinën e prof Jakupit në ambientet e muzeut etnografik si akt simbolik por edhe domethënës…”sot nuk jemi këtu për të kujtuar humbjen, por për të nderuar dritën që ai la pas….Sot, Babit, ne nuk po i themi lamtumirë, por po e vendosim në vendin që meriton – në kujtesën kolektive të qytetit, në historinë kulturore të kësaj treve, në zemrat tona… Kjo violinë nuk është dëshmi e një fundi, por e një vazhdimi. Është një ftesë për të rinjtë që të ëndërrojnë, për artistët që të krijojnë, për ne të gjithë që të kujtojmë sa shumë mund të japë njeriu kur e jeton artin me shpirt”.

EkoHigjiena

Në këtë ceremoni përkujtimore, në këtë Muze u vendos violina e profesorit, instrumenti që e shoqëroi gjatë gjithë jetës së tij profesionale, krah pianos me të cilën ai formoi breza të tërë nxënësish. Çdo gur i kësaj shtëpie-muze ruan një pjesë të historisë së tij, ndërsa sot u shtua edhe një simbol i ri i trashëgimisë së tij muzikore.

Gjatë aktivitetit u interpretuan edhe tre këngë premierë nga krijimtaria e prof. Jakupit , dueti Hekuran Bllaca & Albina Jakupi, Herolinda Bucaliui dhe Ernesa Surdulli si një dëshmi se muzika e tij vazhdon të jetojë dhe të ecë përpara.
Prof. Isa Jakupi besonte se njeriu jeton aq sa jeton vepra e tij. Tingujt që u ngritën në heshtjen solemne të muzeut këtë mbrëmje e dëshmuan edhe një herë se ai mbetet i pranishëm në çdo notë që emocionon, në çdo fëmijë që mëson, në çdo zemër që prek muzika.

Në përmbyllje të ceremonisë, prof. Argëtim Bajrami, me violinën e prof Isa Jakupit interpretoi kryeveprën e tij, këngën “Sy jeshile gojsheqere”, duke dhuruar emocione të forta për audiencën dhe duke vërtetuar edhe një herë se shpirti i një artisti jeton përmes këngës dhe veprës së tij.

Kujtimi për prof. Isa Jakupin mbetet një dritë e qetë — e butë, e dhimbshme dhe e përjetshme./2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.