Në MPB u mbajt diskutim lidhur me fushatën për legalizimin e armëve

Në MPB u mbajt diskutim lidhur me fushatën për legalizimin e armëve

Ministria e Punëve të Brendshme, në kuadër të fushatës së legalizimit të armëve ilegale “Me letra” dhe në bashkëpunim me Projektin për Siguri në Kosovë, të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), ka organizuar diskutim për progresin e deritanishëm dhe planet konkrete të ardhshme lidhur me këtë fushatë.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Izmi Zeka, tha se Ministria e Punëve të Brendshme është e përkushtuar që të kontribuojë dhe të zbatojë plotësisht aktivitetet e procesit të legalizimit, në përputhje me Udhërrëfyesin, për një zgjidhje të qëndrueshme për posedimin, keqpërdorimin dhe trafikimin e paligjshëm të armëve të vogla dhe të lehta dhe municionin e tyre në rajonin e Ballkanit Perëndimor, deri në vitin 2024.

“Kjo fushatë do të zgjasë për gjashtë muaj dhe mbështet zbatimin e Ligjit për legalizimin e armëve. Qëllimi i saj është të ofrojë informata se çfarë duhet të dijë çdo qytetar për legalizim dhe t’i inkurajojë ata që të marrin këtë veprim”, tha zëvendësministri Zeka.

Alessandra Roccasalvo, Përfaqësuese e përhershme e UNDP-së, tha se kjo organizatë është duke e mbështetur këtë kampanjë financiarisht me disa partner.

“UNDP-ja është e përkushtuar për të promovuar konceptin e sigurisë njerëzore. Kosova është e vogël dhe ka një përparësi që ta përmbushë këtë standard”, tha ajo.

Ndërsa ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Christian Heldt, përgëzoi Qeverinë e Kosovës për punën e bërë në këtë drejtim, me ç ‘rast ri konfirmoi mbështetjen e mëtejme të shtetit gjerman në luftimin e posedimit të armëve ilegale.

Fushata e legalizimit është pjesë e përkrahjes afatgjatë nga Projekti për Sigurinë në Kosovë (KSSP) i UNDP-së, u mundësua përmes kontributit të Ministrisë së Punëve të Jashtme Gjermane.
Fushata e legalizimit “Me letra”, ka filluar me 17 dhjetor 2018 dhe do të zgjasë deri më 17 qershor 2019.

KOMENTE