DYLON

Në Malishevë të Gjilanit, familja Fejzullahu bëhet me shtëpi të re

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Avdirrahim Fejzullahu nga Malisheva e Ulët Gjilanit nuk ka mundur të thotë asnjë fjalë pos “Faleminderit” nga lotët e gëzimit, pasi banorët e këtij fshati dhe bashkatdhetarët ia ndërtuan shtëpinë e re, pas iniciativës së kryetarit Lutfi Haziri në mbrëmjen humanitare “Pak nga ne, shumë për ata”. Avdirrahimi deri tani ka jetuar në një shtëpi me gjendje të mjerushme të banimit, por sot i ka ndryshuar jeta, ngase së bashku me familjen e tij do të bëjë jetë të dinjtetshme.

Çelësat e shtëpisë së re ia dorëzoi atij, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe përfaqësuesi i Këshillit Organizativ të fshatit, Agron Tahiri.

EkoHigjiena

“E falënderoj Këshillin Organizativ, përkatësisht qytetarët e Malishevës dhe bashkatdhetarët, për kontributin e tyre në ndërtimin e shtëpisë së familjes së Avdirrahimit, të cilin e uroj ta mbush me gëzim e lumturi. Tashmë kjo është shtëpia e 27-të që njerëzit e vullnetit të mirë e ndërtuan, pas iniciativës në mbrëmjen humanitare “Pak nga ne, shumë për ata”, ka thënë pas inaugurimit të shtëpisë, kryetari Haziri.

Kreu i Gjilanit tha se brenda vitit, numri i shtëpive të ndërtuara pas iniciativës së tij në nëntorin e vitit 2014, do të shkoj në 35.
“Në Malishevë janë duke u ndërtuar edhe dy shtëpi falë kontributit të Këshillit Organizativ, ndërsa në Zhegër dhe Lladovë jemi duke i ndërtuar edhe gjashtë shtëpi tjera me fondin e përbashkët të qytetarëve. Deri në fund të vitit, numri i shtëpive të ndërtuara do të shkoj në 35. Gjithashtu, 37 shtëpi do të renovohen atë brenda 90 ditësh dhe 40 familjeve në nevojë po ua paguajmë qiratë”, u shpreh Haziri.

Ai tha se Fondi i Solidaritetit ende nuk është prekur, falë angazhimit të njerëzve të vullnetit të mire të Gjilanit, Anamoravës dhe mbarë Kosovës.

Ndryshe, gjatë majit pritet të inaugurohet edhe një shtëpi e ndërtuar nga donatorët. /2L ONLINE/