(2L ONLINE) – Rrustem Hajdini është nga fshati Livoç i Ulët Gjilanit. Sa herë që i është nevojitur ndonjë dokument i gjendjes civile, është dashur të udhëtoj në disa kilometra në qendër të qytetit apo edhe fshatin Cërnicë.
Por, sot Rrustemi ka ecur pak metra në këmbë dhe është pajisur me ekstraktin e lindjes pasi Komuna e Gjilanit, respektivisht drejtoria e Administratës ka inauguruar zyrën e gjendjes civile në fshatin Livoç të Ulët.
Prerjen e shirit e bëri kryetari Lutfi Haziri, nënkryetari Rexhep Kadriu dhe drejtori i Administratës së Përgjithshme Nazim Gagica.
Në fjalën e rastit, kryetari Haziri tha se hapja e kësaj zyre ka qenë premtim i tij në fushatën elektorale, i cili sot është përmbushur.
“Ky inaugurim i vogël është simbolikë, por që ofron shërbime për qytetarët. Ne kemi arritur që një premtim dhe një detyrë të vogël ta realizojmë sepse ne e kemi për obligim. Këtë të martë do ta mbaj në mend sepse është e marta për qytetarët ku ne punojmë intensivisht me kërkesat e qytetarëve. Simbolika e hapjes së shërbimit civil ka të bëjë me shërbimin e madh për qytetarët. Ne do të vazhdojmë të krijojmë hapësira për qytetarët këtu”, është shprehur para banorëve të Livoçit të Ulët kryetari Haziri.
Haziri theksoi se Livoçin e shohim pjesë të zhvillimit urban të qytetit dhe do të punohet për ta zhvilluar dhe modernizuar, duke e fokusuar në rregullimin e infrastrukturës dhe të tjera shërbime me radhë.
Nënkryetari Rexhep Kadriu tha se ky shërbim do të jetë në favor të livoçasve, ndërsa po punohet pa u ndalur edhe për projekte të tjera të rëndësishme për t’ua bërë më të mirë jetën qytetarëve tanë.
Drejtori i Administratës së Përgjithshme, Nazim Gagica tha se ky është një hap tutje për ta afruar Komunën më afër qytetarit dhe për këtë tha se ka pasur përkrahjen e madhe të kryetarit Haziri.
Kjo zyre do të ofroj shërbime për banorët e Livoçit të Ulët dy ditë brenda javës.
Ndryshe, javë më parë Komuna e Gjilanit ka nisur implementimin e projektit Home-Komuna, ku pas aplikimit online të qytetarëve për të gjitha llojet e certifikatave, po u dërgohen shërbimet në shtëpi brenda 24 orëve dhe kjo ka bërë që tollovia të largohet krejtësisht nga administrata. /2lonline/