(2L ONLINE) – Me një solemnitet rasti dhe në prani të zyrtarëcve të lartë komunal, të policisë, gjyqësisë dhe mekanizmave të tjerë që veprojnë në komunën e Vitisë, sot është bërë hapja e zyrës së policisë në Letnicë.
Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, duke folur në ceremoninë e hapjes së zyrës së policisë në Letnicë, çmoi lartë bashkëpunimin tejet të mirë të policisë me institucionet komunale dhe hapjen e këtyre zyrave e vlerësoi si shumë të rëndësishme për faktin e ofrimit të shërbimit sa më të mirë në aspektin e sigurisë për banorët e kësaj ane.
“Gjitha institucionet si komuna, policia, gjyqësia, këshillat e fshatrave dhe gjithë mekanizmat tjerë që veprojnë në Viti, kanë një bashkëpunim shumë të mirë për ti kontribuar një ambient të sigurt për gjithë qytetarët. Andaj, edhe hapja e kësaj zyre në Letnicë por edhe atyre në Zhiti dhe Goshicë, do të jetë një lehtësim edhe për organet e policisë por edhe për qytetarët që të jemi sa më afër nevojave dhe kërkesave të popullatës”, u shpreh kryetari Haliti.
Pos në Letnicë, po sot janë hapur të njëjta edhe në Goshicë e Zhiti nëpërmjet së cilave do të raportohet për problemet dhe nevojat që kanë qytetarët e këtyre lokaliteteve, me që rast do të ofrohet një siguri më e madhe për popullatën. Komandanti i stacionit policor në Viti kapiten Agim Lipovica, tha se hapja e këtyre tri zyrave janë një përafrim i policisë me qytetarët.
“Kjo po bëhet në kuadër të metodologjisë së punës e cila ka për qëllim që të jemi sa më afër qytetarit dhe ti marrim gjithë ato ankesa e kërkesa dhe ti adresojmë dhe kështu të zhvillojmë bashkëpunimin e mirëfilltë dhe të sinqertë, ku do të kemi edhe rezultate të mira për çështjet e sigurisë”, tha Lipovica.
Ai më tej tha se këto zyra do të ndikojnë në ofrimin e sigurisë më të mirë në këto lokalitete dhe përforcimin e bashkëpunimit komunitet-polici.
Zv.drejtori i policisë rajonale nënkolonel Shaban Azizi, i ftoi qytetarët që të kenë një bashkëpunim të afërt me rreshterin e policisë i cili do të jetë i angazhuar në këtë zyrë.
“Shpresoj se gjithë ata qytetar që kanë kërkesa dhe kanë nevojë për shërbimin policor, tani e kanë më të lehtë çasjen dhe ti adresojnë ankesat e tyre”. Në emër të komunitetit të Letnicës, përfaqësuesi i këtij fshati Shin Gjoni ka falënderuar institucionet komunale dhe policinë për angazhimin ne ofrimin e shërbimeve më të mira por edhe ofrimin e një ambient të sigurt përmes kësaj zyre. /2L ONLINE/