/2L ONLINE/ – Ciklin e konferencave të shefave të grupimeve politike që përfaqësohen në vendimmarrjen komunale, të cilat i ka organizuar Zyra për Informim, e ka përmbyllur të premten kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi, e cila ka thënë se në Kuvendin Komunal të Gjilanit, që vlerësohet ndër më transparentët në Kosovë, ka hapësirë të mjaftueshme për debat, si nga pozita, ashtu edhe nga opozita.
Duke prezantuar aktivitetin e periudhës 6-mujore, Bunjaku-Rexhepi ka thënë se Kuvendi Komunal ka mbajtur 6 seanca të rregullta, një solemne dhe një të jashtëzakonshme, ku ka miratuar 57 vendime dhe rregullore, ndërkaq komitetet, si trupa ndihmëse, kanë mbajtur 54 takime dhe kanë bërë mbi 83 rekomandime, sipas kërkesave të qytetarëve, ose propozimeve të drejtorive përkatëse.
Komiteti për Politikë dhe Financa ka organizuar 12 takime publike, në qytet dhe fshatra, ku është diskutuar për kornizën buxhetore si dhe janë identifikuar prioritetet konkrete të atyre lokaliteteve, në bashkëpunim me qytetarët.
Edhe raportet pozitë-opozitë në Kuvend Komunal, ajo i ka vlerësuar të mira. “Unë jam munduar të jem korrekte me të dyja palët dhe besoj se opozita ka pasur hapësirë të mjaftueshme për ta thënë fjalën e vet dhe për t`i paraqitur propozimet e veta”, ka thënë Valentia Bunjaku-Rexhepi.
Kuvendi ka raporte të mira edhe me kryetarin e Komunës dhe me drejtoritë komunale. Në seancën e radhës së Kuvendit Komunal, më 29 shtator, do të procedohet iniciativa e kryetarit për ndryshimin dhe plotësimin e statutit të Komunës, si nevojë për ri-themelimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport si dhe Drejtorisë së Inspeksionit, ka thënë ajo.
Kryetari i Komunës e ka parë të arsyeshme t`i rikthejë këto dy drejtori. “Kjo nuk do të thotë se atëherë kur vendosëm t`i shpërndajmë nëpër sektorë, kemi bërë gabim, sepse sektorët kanë funksionuar mjaft mirë, mirëpo nuk ka dalë ashtu siç kishim menduar, prandaj tani po i rikthejmë sërish drejtoritë”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi, e bindur se nisma e kryetarit do të përkrahet edhe nga opozita.
Valentina Bunjaku-Rexhepi është përgjigjur edhe në pyetjet e gazetarëve që kryesisht kishin të bënin me respektimin e barazisë gjinore në Kuvend, sa i përket të drejtës së fjalës, pastaj rreth akuzave ndaj disa zyrtarëve komunalë dhe të tjera.
“Unë si kryesuese i trajtoj njësoj anëtarët e Kuvendit Komunal, pavarësisht gjinisë, sepse të gjithë e kanë marrë besimin nga qytetarët dhe secili prej tyre e ka merituar ulësen në Kuvendin Komunal”, ka thënë ajo, duke nënvizuar se femra në Kuvendin Komunal të Gjilanit, është e barabartë me mashkullin.
Kurse në lidhje me akuzat ndaj një numri të zyrtarëve komunalë, ajo ka thënë se sa i përket kryetarit të Komunës, beson se çështja do të zbardhet shumë shpejt, meqë nuk ka asgjë konkrete, sepse për çështjen që përmendet në aktakuzë, vendimi është marrë në Kuvend Komunal.
Sa i përket ish-kryetarit të Komunës dhe zyrtarëve të tjerë, Rexhepi-Bunjaku ka thënë se ata duhet ta thonë fjalën e tyre tek drejtësia.
“Unë dëshiroj që secili prej tyre të dalë i pafajshëm, sepse para së gjithash jemi qytetarë të Gjilanit dhe asnjëherë, askush nuk ndihet mirë nëse dikush është nën aktakuzë, por u takon organeve të drejtësisë ta thonë fjalën e tyre për këtë rast”, ka thënë ajo.
Valentina Bunjaku-Rexhepi është përfaqësuese e LDK-së, subjekt ky që mban 14 ulëse në vendimmarrjen komunale dhe qeveris në Gjilan, së bashku me AAK-në dhe disa partnerë tjerë të vegjël. /2L ONLINE/