DYLON

Në Kuvend flasin edhe aktorë e përfaqësues të Teatrit

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Kuvendi Komunal të Gjilanit po vazhdon të diskutojnë mbi çështjen e Teatrit të Qytetit dhe fjala po u jepet tani edhe aktorëve dhe njëri ndër ta Ramadan Kurti, ka thënë se ndihet i shqetësuar edhe si aktor, edhe si qytetar, me gjendjen aktuale të teatrit.

Ai ka rikujtuar se Gjilani, ndër tjerash ka qenë edhe vatër e kulturës duke përmendur kohën e kaluar, para lufte, ku përkund rrethanave të atëhershme, është punuar për teatër, nuk i kanë pas problemet me të cilat ballafaqohen sot. Ai tha se në teatër është punuar shumë, duke përmendur edhe sukseset në festivale, por e ka quajtur të pajustifikueshme se qysh sot në këtë shekull, teatri i Gjilanit është para një kolapsi.

EkoHigjiena

“Teatri, aktorët… nuk e kanë merituar këtë humbje të krenarisë , dinjitetit”, ka thënë Kurti.

Duke iu drejtuar kuvendarëve ai ka thënë se tani kur Komuna ka 20 milion euro buxhet, aktorët të shkojnë derë më derë, si lypsar është fatkeqësi sikurse që është fatkeqësi që Gjilani nuk ka më drejtori të kulturës. Kod i veçantë për teatër, buxhet i rregullt dhe direkt për teatër, ka kërkuar ndër tjerash aktori Ramadan Kurti.

Ndërsa, Gyner Halili, aktor por edhe kryetar i Sindikatës së Pavarur të punëtorëve të Teatrit të Qytetit, tha se po e merr fjalën para kuvendarëve në cilësinë e përfaqësuesit të sindikatës së punëtorëve të Teatrit, për të shprehur shqetësimin e tyre dhe njëherazi për të kërkuar që përfundimisht të rregullohet statusi i punëtorëve të këtij institucioni të rëndësishëm kulturor të komunës së |Gjilanit.

“Teatri i Qytetit të Gjilanit, me gjithë sukseset e shumta që ka arritur në planin artistik dhe me gjithë rregullimin juridik, të përcaktuar me ligjin për teatrot, faktikisht asnjëherë nuk ka arritur të jetë faktor determinues apo të bëhet pjesë e një debati më të avancuar publik, përveç në kohën e fushatave elektorale. Andaj dua që të falënderoi Komitetin Komunal për Politikë dhe Financa, i cili këtë problem e ka radhitur, të paktën, në rend dite të punës së Asamblesë Komunale”, ka thënë Halili.

Ai tha se kur përmendi fushatat elektorale, i duhet që të shprehë edhe zhgënjimin e punëtorëve të këtij teatri që premtimet e vazhdueshme që teatri të shndërrohet në njësi të pavarur buxhetore nuk janë realizuar asnjëherë. Gjithashtu, edhe pse stafi artistik (trupa rezidente) e teatrit është e kompletuar konform ligjit për teatrot publike, në mungesë të buxhetit të rregullt, nuk janë rregulluar kontratat e punëtorëve.

Kështu tani paga të rregullta marrin vetëm drejtori, organizatori dhe shefi i teknikës, ndërkaq 15 aktorët e këtij teatri nuk kanë kontrata valide. Aktorëve iu është sugjeruar vitin e kaluar që të nënshkruajnë një kontratë tre mujore, në mënyrë që të dalin në vitin 2015, pa borxhe, me premtimin se pastaj do të rregullohet gjithçka.

“Këtë kontratë, aktorët e kanë pranuar si shenjë kompromisi pozitiv, por kanë refuzuar ta nënshkruajnë punëtorët teknik. Sido që të jetë, premtimi se pas Janarit 2015 do të gjendet zgjidhja, nuk është mbajtur dhe tani të dy palët: ata që e kanë nënshkruar dhe ata që e kanë refuzuar, kemi mbetur peng dhe në pritje të një zgjidhjeje të favorshme për të gjithë”, ka thënë Halili.

I pari i Sindikatës së punëtorëve të Teatrit tha para kuvendarëve edhe se në bazë të organogramit, teatri është dashur të ketë 27 vende pune. Mirëpo tanimë u janë marrë katër sish (Drejtori Artistik, Menaxheri, Zyrtari Financiar dhe Roja) dhe u janë shtuar drejtorive tjera. Dhe duke marrë para sysh që nga 23 vendet e mbetura, tri pozita tanimë janë të sistemuara me pagë, atëherë kërkesa ka të bëjë me sistemimin apo rregullimin e kontratave të rregullta të punës për 20 vendet tjera të punës.

“Mbase për shumicën e këtyre çështjeve është dashur që të angazhohet drejtoria e teatrit, por duke parë neglizhencën dhe konformizmin e drejtorit, jemi të detyruar të angazhohemi ne si sindikatë”, ka thënë ai.

Sipas Halilit, Teatri i Gjilanit shpeshherë është marrë si model për teatrot tjera publike në Kosovë dhe me sukseset e arritura në festivale të nivelit gjithëkombëtarë ka dëshmuar se është një ansambël dinjitoz që meriton më tepër respekt dhe përkujdesje nga strukturat udhëheqëse të Komunës. “Publiku gjilanas e do dhe e njeh mirë teatrin, mbase më mirë se publiku i qendrave shumë më të mëdha shqiptare. Ne me dhimbje jemi detyruar të ndërpresim punën, dhe atë në një periudhë kur dy shfaqjet që ishin në repertor: “Ufot” dhe “Mbledhje në Parlament” kishin realizuar rekord shikueshmërie”, tha tutje Halili.

Ai shtoi se krejt çfarë kërkojnë është të bëjnë punën e tyre dhe natyrisht këtë ta bëjnë brenda një kontrate pune dhe të paguhen. “Natyrisht secili nga ne është koshient që duhet t’i përmbahet kontratës së nënshkruar, e ata që nuk i përmbahen, natyrisht duhet të largohen. Ne e dimë gjithashtu se edhe nëse i marrim pagat në mënyrë të rregullt, prapëseprapë ato nuk do të jenë zgjidhje e qëndrueshme financiare për familjet tona, sepse niveli i tyre nuk do jetë mjaftueshëm e dinjitetshme, por të paktën kërkojmë që ato t’i marrim me rregull dhe deri diku të “zbusim”, po e them pa rezerve, varfërinë!”, thotë Halili.

Ai ka përfunduar fjalin ëe tij para kuvendarëve gjilanas me shpresën që shqetësimet e tyre të bëhen të paktën për një ditë edhe shqetësime të kuvendarë.

Përndryshe, para anëtarëve të Kuvendit foli edhe aktori Naser Zymberi i cili tha se Teatri do zgjidhje urgjente, e më pas dhe një zgjidhje të përhershme që të mos ballafaqohet çdo herë me një gjendje të rëndë në të cilën ndodhet edhe tani. /2L ONLINE/