Në kryeqytet: Policia evidenton 284 shkelje dhe konfiskon 49 mjete me dy rrota
Policia e Kosovës ka intensifikuar kontrollet ndaj mjeteve me dy rrota në kryeqytet, duke evidentuar qindra shkelje të rregullave të trafikut dhe duke konfiskuar dhjetëra motoçikleta e një trotinet.
Kontrolli i shtuar i motoçikletave dhe trotinetëve është zhvilluar nga 18 deri më 31 gusht 2026, në kuadër të planit të Policisë për rritjen e sigurisë në trafik. Gjatë kësaj periudhe janë identifikuar shkelje të ndryshme dhe ndaj kundërvajtësve janë shqiptuar gjoba, ndërsa janë konfiskuar edhe mjetet që nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore për pjesëmarrje në trafik.
Sipas të dhënave të Policisë, në 79 raste motoçikletat janë drejtuar pa patentë shofer, ndërsa në 38 raste ato nuk kanë qenë të regjistruara. Problem i theksuar ka qenë edhe mosmbajtja e helmetës, me 89 raste të evidentuara gjatë kontrolleve.
Në kuadër të këtij aksioni, Policia ka konfiskuar 48 motoçikleta dhe një trotinet, ndërsa për shkelje të tjera të rregullave të trafikut janë shqiptuar edhe 78 gjoba ndaj drejtuesve të mjeteve me dy rrota.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se kontrollet dhe angazhimet për sigurinë në trafik do të vazhdojnë edhe më tej, ndërsa ka apeluar te drejtuesit e motoçikletave dhe trotinetëve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe kërkesat ligjore gjatë pjesëmarrjes në komunikacion. /2LONLINE/
