Në Kosovë shënohet Dita Botërore kundër Kancerit

Në Kosovë shënohet Dita Botërore kundër Kancerit

/“Shtimi i numrit të rasteve të reja edhe pse merret me mjaft seriozitet dhe shqetësim, krahasuar me rastet në vendet tjera, është i menaxhuar. Kemi arritur që të krijojmë mundësi diagnostikimi dhe mjekimi në nivele të kënaqshme, kemi një staf profesional që po bëhet shembull i përkushtimit”, tha Ministri Imet Rrahmani/

Organizuar nga Bordi Nacional për Kontroll të Kancerit, sot në Prishtinë u organizua tryeza shkencore për shënimin e Ditës Botërore të kancerit, në të cilën u prezantuan edhe hapat e ndërmarrë në Kosovë, me qëllim të adresimit më gjithëpërfshirës të kësaj problematike të madhe të shëndetit publik.

Pirja e duhanit, mungesa e aktivitetit fizik , alkooli, ajri i ndotur dhe faktorë të tjerë të rrezikut u tha se janë shkaktarët kryesore të sëmundjes së kancerit, e cila çdo vit në botë vret rreth 8.8 milionë njerëz.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se problematika e sëmundjeve malinje po sfidon sistemet shëndetësore në mbarë botën, pra edhe në vendet me një ekonomi shumë më të zhvilluar, me sisteme shëndetësore të avancuara dhe me një përvojë profesionale të konsoliduar.

“Kosova dhe sistemi shëndetësor i saj, padyshim se po ballafaqohet me këtë problematikë,duke provuar se kemi mundësi, kemi potencial njerëzor dhe profesional, që së bashku me shoqërinë civile, të ngremë shkallën e reagimit në nivelet më të larta të mundshme. Kemi kaluar nëpër faza të rënda të ngritjes së institucioneve, infrastrukturës dhe krijimit të kuadrove profesionale. Tash , mund të flasim për një institucion të konsoliduar ku trajtohen rastet me sëmundje malinje, kemi një koordinim të mire në mes politikë-bërjes, nevojave të institucioneve dhe adresimit të nevojave urgjente të pacientëve dhe qytetarëve”, tha Ministri Rrahmani.

Sot, kur po shënojmë këtë ditë, shtoi më tej Ministri, mund të themi se gradualisht të gjithë së bashku po arrijmë të plotësojmë mozaikun e nevojës së koordinimit të mirë në mes Ministrisë së Shëndetësisë, Institucioneve shëndetësore shërbim ofruese, organizatave ndërkombëtare përkrahëse, shoqatave profesionale dhe shoqërisë civile, në luftë kundër kancerit.

“Shtimi i numrit të rasteve të reja edhe pse merret me mjaft seriozitet dhe shqetësim, krahasuar me rastet në vendet tjera, është i menaxhuar. Kemi arritur që të krijojmë mundësi diagnostikimi dhe mjekimi në nivele të kënaqshme, kemi një staf profesional që po bëhet shembull i përkushtimit”, tha ai.

Këshilltarja për Shëndetësi e Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, dr. Mybera Mustafa tha se aktivitetet profesionale i kontribuojnë fuqizimit të luftës kundër kancerit dhe kjo reflekton edhe me rezultate më të mira në këtë fushë.

Kryetarja e Bordit Nacional për Kontroll të Kancerit, njëherësh Dekane e Fakultetit të Mjekësisë, dr. Suzana Manxhuka –Kërliu tha se Bordi Nacional për Kontrollin e Kancerit është duke zbatuar Programin e përditësuar për Kontroll të Kancerit, duke zhvilluar programe të skriningut të kancerit të gjirit përmes projektit të Mamografisë dhe pilot projektin e programit të skriningut të kancerit të qafës së mitrës në Komunën e Prishtinës. Gjithashtu, janë duke u bërë edhe hapa të tjerë në zbatim të këtij program përfshire parandalimin primar dhe sekondar, diagnostikimin dhe trajtimin e pacientëve, edukimin dhe informimin si dhe koordinimin e akterëve kyç me qëllim adresimit gjithëpërfshirës të problematikës së kancerit në Kosovë.

Në këtë tryezë, specialistë të fushave të ndryshme të mjekësisë nga institucione të ndryshme kanë prezantimi të ndryshme që lidhen me kancerin, përfshirë duhan-pirjen dhe kancerin; Regjistrin e Kancerit, skrinimin e kancerit të qafës së mitrës; Skrinimin e kancerit të gjirit; Trajtimin e Kancerit në Kosovë dhe analizë të kost benefitit të këtyre programeve, në veçanti kancerit të qafës së mitrës.

Porositë e dhëna nga kjo tryezë ishin që të reduktohet duhan-pirja, të zhvillohet aktivitet fizik, dieta të shëndetshme, të kufizohet përdorimi i alkoolit, të reduktohet ndotja e ambientit të zhvillohen programe vaksinimi për Hepatiin B dhe HPV (Human Papilloma Virusin) dhe qytetarët të bëhen pjesë e programeve të skrinimit të kancerit.

 

KOMENTE