Më bëri përshtypje reagimi i Kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, pas shpalljen e pafajësisë së Sheshelit nga Tribunali i Hagës, ku ai deklaron se: “mosndëshkimi i kriminelëve të luftës nga Serbia është pranim i krimit të luftës” Dhe për krimet e kryera në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci ai fajëson “forcat militare dhe paramilitare” serbe.
Së pari, në tipologjinë e krimeve që bën e drejta ndërkombëtare penale krimet e luftës vijnë në shkallën më të ulët të krimeve: Krimi më i rëndë konsiderohet GJENOCIDI, pastaj, në rend të dytë vijnë krimet kundër njerëzimit dhe në fund janë krimet e luftës.
Duke akuzuar se “Mosndëshkimi i kriminelëve të luftës nga Serbia është pranim i krimit të luftës” z. Ymeri, (besoj pa dashje, ose pa ia kushtuar vëmendjen formës së reagimit, ashtu siç po bëjnë shumica e politikanëve për këtë çështje) ia ulë shkallën e krimeve këtij shteti kriminal. Serbia në Kosovë ka kryer gjenocid dhe si shtet ka qenë i implikuar edhe në gjenocidin që është kryer në Bosnje dhe në Kroaci.
Gabimin e dytë që e bëri në reagimin e tij z. Ymeri ka të bëj me atë se për krimet e kryera në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci ai fajëson “forcat militare dhe pararamilitare”.
Zoti Ymeri, “forcat paramilitare serbe” janë trillim i propagandës serbe për të shfajësuar shtetin e Serbisë.
Nëse e lexoni artikullin e Bardhyl Mahmutit “Kush e shfajëson Serbinë për krimin e gjenocidit në Kosovë?“ do ta kuptoni se „fshehja e krimit të gjenocidit të kryer në Kosovë nga forcat e armatosura serbe dhe drejtimi i gishtit te «grupet paramilitare» është pjesë e strategjisë së Serbisë për t’i ikur përgjegjësisë si shtet.”
(http://gazetablic.com/kush-e-shfajeson-serbine-per-krimin-e-gjenocidit-ne-kosove/)
Shfajësimi i Sheshelit nga përgjegjësia për krimin e gjenocidit në Kosovë kuptohet qartë nga pazarllëqet politike që Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë i ka bërë me pushtetin e Beogradit. Këtë aspekt e zhvesh shumë mirë Florence Hartmann, Ish-zëdhënësja e Prokurorisë së kësaj gjykate në veprën e saj «Paqja dhe ndëshkimi», të përkthyer edhe shqip. Për denoncimin që ia bëri pazarllëqeve të tilla në kurriz të drejtësisë ajo u dënua me 7000 euro gjobë, e cila u transformua në burg. Florence Hartmann-i u arrestua ditën kur duhej të shpallej aktgjykimi kundër kriminelit Radovan Karagjiqit.
Krahas pazarllëqeve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë me Beogradin një shkallë të madhe të përgjegjësisë e kemi edhe vetë se e kemi zhvendosur tërësisht luftën brenda për brenda nesh.
Shpresoj se gabimet që i keni bërë në reagimin tuaj janë gabime nga mosdije e jo nga dëshira për ta shfajësuar Serbinë.
***
Përndryshe lexo reagimin e VIsar Ymerit të cilës iu është referuar në ktë shkrim Fatmir Arifi:
“Kriminelin Sheshel e paska shpallur të pafajshëm Tribunali i Hagës. Ky, sipas të gjitha gjasave, është vendimi më skandaloz i këtij Tribunali. Të shpallet ultra-fashisti Sheshel i pafajshëm për krimet e kryera nga forcat militare e paramilitare të Serbisë në Kosovë, Bosnje e Kroaci, është krim në vete, dhe nuk ka asgjë të bëjë me drejtësinë.
Kështu fashistëve në Serbi, të cilët janë në pushtet, po u dërgohet një sinjal tjetër: jo i domosdoshmërisë për denazifikim e dekriminalizim, por i hapësirës për intensifikim të kërkesave e veprimeve të tyre shoveniste e hegjemone.
Ky mosndëshkim i shtetit të Serbisë po i rrënon dinjitetin për çdo ditë viktimave të shumta dhe familjeve të tyre. Nga Zagrebi, në Sarajevë e Prishtinë sot njerëzit ndihen të dhunuar rishtazi.
Tash nga buzëqeshja kriminale e Sheshelit, dhe nga vendimi i neveritshëm i Tribunalit ndërkombëtar. Është e padrejtë të quhet drejtësi ndërkombëtare. Mosndëshkimi i kriminelëve të luftës nga Serbia është pranim i krimit të luftës. Ky pranim është nxitje e Serbisë për luftëra të reja në Ballkan”