Në Kosovë 10.7% e fëmijëve të moshës 5-17 vjeç janë të angazhuar në punë
Përfshirja e fëmijëve në punë të rënda dhe të rrezikshme është një problematikë me të cilën thuajse në mënyrë të vazhdueshme ballafaqohen shtete të ndryshme të botës. Në Republikën e Kosovës, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, përqindja e fëmijëve të moshës 5-17 vjeç të cilët janë të angazhuar në punë, ka dalur të jetë 10.7 për qind. Përderisa numri i përgjithshëm i fëmijëve në punë të rënda i evidentuar nga Qendrat për Punë Sociale në gjithë Kosovën për vitin 2014, ishte 206 fëmijë.
Marrë parasysh këtë, shumica e fëmijëve që janë të përfshirë në punë të rënda, në një mënyrë, detyrohen të sillen si të rritur, duke mos pasur mundësi ti gëzojnë të drejtat e tyre si fëmijë.
Fëmijët u ekspozohen një sërë rreziqesh për shëndetin dhe formave të ndryshme të shkeljes së të drejtave të fëmijës, përfshirë: neglizhimin, keqtrajtimin, abuzimin fizik dhe psikologjik, e në disa raste mungesën e regjistrimit, mungesën e qasjes në arsim dhe mungesën e strehimit, duke e vënë veten përballë edhe rrezikut të shfrytëzimit seksual dhe/ose trafikimit.
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), vlerëson punën e bërë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për krijimin e bazës ligjore dhe krijimin e mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së fëmijëve
Megjithatë, KOMF konsideron që akoma nuk ka vullnet të mjaftueshëm institucional në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve në punë të rënda, ku kjo vihet re qysh nga mungesa e planifikimit buxhetor për zbatimin e legjislacionit të aprovuar, e si pasojë dhe mungesa e shërbimeve apo alternativave të cilat do ti mbronin fëmijët nga përfshirja në punët e rënda.
Përkundër decentralizimit të shërbimeve sociale, komunat kanë bërë pak veprime konkrete për të ndarë buxhet me qëllim të mbrojtjes së fëmijëve në komunën e tyre. Mungesa e një granti specifik për komunat për shërbimet sociale pamundëson ofrimin e shërbimeve cilësore për mbrojtjen.
Edhe përkundër këtyre kufizimeve, në disa komuna, institucionet publike ndërmarrin aksione sporadike të herëpashershme, por megjithatë numri i fëmijëve të cilët janë tërhequr nga punët e rënda, fatkeqësisht mbetet i vogël.
Prandaj, KOMF kërkon vëmendjen e Kryeministrit dhe kryetarëve të komunave, për realizimin e obligimeve si ekzekutiv, duke bërë që mbrojtja e fëmijëve të jetë prioritet në programet qeverisëse në nivel qendror dhe komunal. në mënyrë që të punohet në parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda.
KOMF i bën thirrje kryeministrit të Kosovës, ministrit për Ekonomi dhe Financa dhe ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, për krijimin e një granti specifik për shërbimet sociale, për të siguruar një financim të qëndrueshëm dhe të drejtë të shërbimeve sociale. Konsiderohet që zgjidhja më e mirë është të bëhet nëpërmjet plotësim ndryshimit të Ligjit Nr. 03/L-049 për Financat e Pushtetit Lokal dhe krijimit të një granti i cili do të duhej të jetë krahas granteve operative8si grant për shërbime sociale.
Meqenëse mjedisi i varfëruar i shtyn fëmijët në rrugë dhe punë të rënda, kërkojmë rritjen e buxhetit për skemën e asistencës sociale, pra rritja e shumës mujore e asistencës sociale, për të siguruar nevojat elementare ushqimore. Shuma mesatare mujore e asistencës sociale është e vogël për të përballuar kushtet elementare të jetesës sikurse ushqimin dhe veshmbathjen për një familje. Sot, një familje prej 4 anëtarëve (dy të rritur me dy fëmijë) marrin 75 euro në muaj, përderisa sipas studimeve të fundit del se nëqoftëse shuma e asistencës sociale do ishte rritur konform rritjes së çmimeve ndër vite, sot shuma e asistencës sociale për një një familje prej 4 anëtarëve do duhej të ishte 121 euro në muaj.
KOMF ju bënë thirrje kryetarëve të komunave të Kosovës, të sigurojnë financim të qëndrueshëm për shërbimet sociale në mënyrë që ti mundësohet zyrtarëve komunal të ofrojnë shërbime cilësore dhe të përmbushin nevojat për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda.
/fotoilustruese/
