Në Kazermën “Skënderbeu” po zhvillohet gara ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2026”
Në Kazermën “Skënderbeu” po zhvillohet gara ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2026”, e organizuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës, ku po marrin pjesë ekipe ushtarake nga vendet e NATO-s dhe shtetet partnere.
Në këtë aktivitet ndërkombëtar janë bërë bashkë pjesëmarrës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Ajova dhe Corps V), Italia, Kosova, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria, duke e kthyer këtë garë në një platformë bashkëpunimi dhe shkëmbimi përvojash ndërmjet forcave të armatosura.
Gjatë garës, ushtarët po përballen me një sërë sfidash që testojnë qëndrueshmërinë fizike, aftësitë taktike dhe përgatitjen profesionale në kushte të ndryshme operacionale.
Organizimi i kësaj gare nga Forca e Sigurisë së Kosovës vlerësohet si një tregues i angazhimit për profesionalizëm dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, duke dëshmuar gjithashtu rolin në rritje të Kosovës në skenën e sigurisë rajonale dhe më gjerë. /2LONLINE/
