Në Kamenicë prezantohet udhëzuesi për Prokurim Publik Strategjik
Në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit mes Komunës së Kamenicës dhe organizatës RE-Act Lab, sot është prezantuar udhëzuesi për prokurim publik strategjik.
Të pranishëm në këtë takim ishin Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Kamenicës Arbnore Beqiraj-Fera, drejtorë e zyrtarë komunal.
Përmes Prokurimit Publik Strategjik synohet që në procedurat e prokurimit, krahas kritereve ekonomike, të integrohen edhe kriteret mjedisore, sociale dhe inovative. Kjo qasje mundëson që gjatë përzgjedhjes së ofertave të merret parasysh jo vetëm çmimi, por edhe ndikimi afatgjatë që një investim apo shërbim mund të ketë në mjedis, shoqëri dhe zhvillimin ekonomik lokal.
Gjatë takimit u diskutua rëndësia e zbatimit të kësaj qasjeje në praktikë, mundësitë që ofron ajo për institucionin dhe roli i drejtorive komunale në identifikimin e nevojave dhe integrimin e kritereve strategjike në proceset e ardhshme të prokurimit.
Komuna e Kamenicës synon që përmes kësaj qasjeje të rrisë efikasitetin në shpenzimin e buxhetit publik, të përmirësojë cilësinë e investimeve dhe shërbimeve, si dhe të sigurojë që çdo euro e shpenzuar nga buxheti komunal të krijojë sa më shumë vlerë për qytetarët.
Bashkëpunimi me organizatën RE-Act Lab paraqet një mundësi të rëndësishme për të zhvilluar më tej praktikat institucionale dhe për të ndërtuar një kulturë të re të planifikimit dhe menaxhimit të parasë publike, ku në qendër të vendimmarrjes mbetet interesi publik dhe zhvillimi i qëndrueshëm i komunës. /2LONLINE/
