Në Kamenicë mbahet punëtoria e dytë për Planin e Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban
Komuna e Kamenicës, në bashkëpunim me UN-Habitat Kosova dhe me mbështetjen e Friedrich Ebert Stiftung (FES), ka mbajtur punëtorinë e dytë në kuadër të procesit të hartimit të Planit të Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban.
Punëtoria u hap me fjalët përshëndetëse të Besim Morinës, menaxher i projektit nga Komuna e Kamenicës, Rudina Nallbanit, përfaqësuese e Friedrich Ebert Stiftung (FES), dhe Modest Gashit, përfaqësues i UN-Habitat Kosova.
Gjatë punëtorisë u prezantua gjendja ekzistuese e lëvizshmërisë në Komunën e Kamenicës, si dhe rezultatet e vlerësimit kualitativ të realizuar nga UN-Habitat Kosova dhe OJQ IDRA.
Në kuadër të sesioneve të punës u diskutuan qëllimet dhe skenarët e lëvizshmërisë, ndërsa grupet punuese u angazhuan në identifikimin e masave konkrete për përmirësimin e mobilitetit urban në komunë.
Qëllimi i kësaj punëtorie ishte avancimi i procesit të hartimit të një plani të qëndrueshëm të mobilitetit, i cili synon përmirësimin e qarkullimit, rritjen e sigurisë në trafik dhe krijimin e kushteve më të mira të lëvizjes për të gjithë qytetarët.
Komuna e Kamenicës, në bashkëpunim me partnerët mbështetës, mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit të një sistemi të qëndrueshëm, të sigurt dhe gjithëpërfshirës të mobilitetit urban. /2LONLINE/
