DYLON

Në Kamenicë hapet shkolla e muzikës, paralele e ndarë e Gjilanit

Në Kamenicë hapet shkolla e muzikës, paralele e ndarë e Gjilanit
Avatar photo Redaksia

Në Kamenicë është hapur zyrtarisht të enjten shkolla e Muzikës, paralele e ndarë e shkollës së Muzikës në Gjilan.

Gjatë hapjes së shkollës të pranishëm ishin Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, Drejtorin e Shkollës së Muzikës në Gjilan, Kushtrim Jakupi, Drejtorin e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Arianit Ibrahimi, si dhe Udhëheqësin e Sektorit të Arsimit, Drilon Ramabaja.

EkoHigjiena

I pari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, u shpreh i lumtur që fëmijëve të komunës sonë, po u krijohen kushte dhe mundësi të reja për zhvillim e avansim.

“Sot është njëra ndër ditët e mia më të lumtura. Kjo për faktin se tash e tutje fëmijët e komunës sonë do të kenë mundësi të reja për zhvillim e avansim. Me hapjen e paralelës të shkollës së muzikës në Kamenicë, nxënësitë e komunës sonë do të kenë mundësi që mësimet t’i ndjekin në komunën tonë pa pasur nevojë të udhëtojnë në Gjilan”, tha Kastrati.

Kastrati për hapjen e kësaj paralele në Kamenicë tha se është falënderues ndaj komunës së Gjilanit për bashkëpunimin.

“Po ashtu, falënderoj edhe Komunën e Gjilanit, drejtorin e Arsimit të kësaj komune Nazim Gagica, si dhe drejtorin e Shkollës së Muzikës, Kushtrim Jakupi, të cilët që nga momenti i parë kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë e ndërveprojnë me komunën tonë. Urime të gjithëve e na priftë e mbara”, shtoi Kastrati.

Ndërsa, drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica tha: “Së bashku me Kryetarin e Komunës së Kamenicës z. Qendron Kastrati, drejtorin e shkollës së Muzikës z. Kushtrim Jakupi, u.d. të drejtorit të DKA-së në Kamenicë z. Drilon Ramabaja, vizituam hapësirat ku nxënësit e kësaj komune do t’i vijojnë mësimet. Falënderojmë Kryetarin e Komunës së Gjilanit z. Lutfi Haziri për përkrahjen dhe mbështetjen  që dha në realizimin e ketij projekti të shumëpritur.

Gagica ka falënderuar edhe kryetarin e Kamenicës për krijimin e kushteve shumë të volitshme për nxënësit të cilët do të vijojnë mësimet në këtë shkollë.

“Urime nxënësve të Komunës së Kamenicës të cilët mësimet do t’i vijojnë tani në Komunën e tyre”, ka thënë Gagica.

Në fund të ceremonisë zyrtare për hapjen e shkollës, performuan edhe nxënësitë e Komunës së Kamenicës të cilët kanë vijuar mësimet në Shkollën e Muzikës në Gjilan.

Ndryshe, hapja e kësaj paralele të muzikës është bërë me marrëveshje bashkëpunimi në mes të Komunës së Kamenicës dhe asaj të Gjilanit, që dega e “Shkollës së Muzikës” të hapet dhe të funksionojë në Kamenicë. /2LONLINE.com/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.