Në Hogosht të Kamenicës, u vu gurthemeli i shtëpisë muze të heroit Rexhep Mala

Në Hogosht të Kamenicës, u vu gurthemeli i shtëpisë muze të heroit Rexhep Mala

Në Hogosht të Kamenicës u vu gurthemeli i shtëpisë muze të heroit Rexhep Mala, një objekt ky monumental që do të jetë kujtesë për gjeneratat që do të vijnë për të kaluarën dhe sakrificën që është bërë nga populli shqiptar i Kosovës.

Në një ceremoni të organizuar me këtë rast, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i shoqëruar nga Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, vunë simbolikisht gurëthemelin që nis projektin për ndërtimin e shtëpisë muze të heroit Mala, projekt i cili është bashkëpunim i Ministrisë së Kulturës, Komunave të Kamenicës e Gjilanit.

Ministri Gashi e konsideroi këtë ditë jashtëzakonisht të rëndësishme për faktin se po nis projekti për dokumentimin dhe vënien në kujtesë të veprimtarisë së Rexhep Malës, Nuhi Berishës e bashkëveprimtarëve të tjerë.

“Ka qenë përpjekje e vazhdueshme e MKRS-së por edhe e mekanizmave lokalë dhe e bashkëveprimtarëve të Rexhep Malës që ta ngritin këtë shtëpi e cila do të shërben si muze për periudhën për të cilën ka vepruar Rexhep Mala”, tha ministri, duke u zotuar se do të ngritët edhe shtëpia muze e Nuhi Berishës.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të bëjë përpjekje maksimale që të sigurojë dhe pjesën tjetër të buxhetit për përfundimin e plotë të ndërtimit të Kullës”, siguroi ministri.

Ministri Gashi kujtoi dhe përmendi aktivitetin patriotik të Rexhep Malës, Nuhi Berishës dhe bashkëveprimtarëve tjerë gjatë periudhës së viteve të ’80-ta të shekullit 20.

“Nderim i përmotshëm, heroit, Rexhep Mala, brezit të tij atdhetar, dhe të gjithë të rënëve, dëshmorëve, martirëve të gjitha Epokave të Lëvizjes sonë Kombëtare, deri në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ushtri, ishte dhe përjetë do të jetë nderi dhe krenaria e kombit”, ka thënë ministri për fund.

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, tha se monumentet e këtilla ndihmojnë më shumë për të kaluarën e Kosovës.

“Sot bashkë bëmë përurimin e Kullës së Rexhep Malës shpresoj të rregullohet sa më shpejtë dhe të na ndihmoj që gjeneratat e reja mos ta harrojnë asnjëherë sakrificën që jemi tani këtu dhe kombi ynë të zhvillohet përpara”, tha ai.

 

KOMENTE