DYLON

Në Gjilan u vë gurëthemeli për dy salla sportive

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Komuna e Gjilanit, respektivisht nxënësit dhe mësimdhënësit e dy shkollave, të “Abaz Ajetit” nga Gjilani dhe “Liria” nga Pogragja, kanë vënë në mënyrë simbolike gurëthemelin e sallave sportive për këto shkolla, që mundësojnë realizimin e aktiviteteve sportive në ambiente moderne dhe me standarde europiane.

Në këtë ngjarje të madhe për arsimin dhe cilësinë në mësime, ishin të pranishëm, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ministri i Administratës Publike, Mahir Yakgjilar, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, drejtori i Arsimit, Nazmi Musa dhe drejtor të tjerë të drejtorive komunale.

EkoHigjiena

Ministria e Arsimit është financuese e ndërtimit të sallave sportive për këto shkolla, por mbikëqyrja do të bëhet nga ministria e Administratës Publike, sepse MASHT – i, do të angazhohet në procesin e cilësisë në arsim, ka thënë ministri Arsim Bajrami.

“Në emër të qeverisë së Kosovës dhe ministrisë së arsimit, ju uroj fillimin e këtyre dy sallave sportive për shkollat tuaja që janë mëse të nevojshme për kulturën fizike në përgjithësi si degë e arsimit. Ne si ministri e investojmë projektin, por mbikëqyrjen do ta bëjë ministria e Administratës Publike, sepse ne do të punojmë në reformën e shkollës dhe ngritje të cilësisë në mësim. Do të merremi me investim tek mësimdhënësit dhe nxënësit, sepse jemi në fazën e ndërtimit të shkollave cilësore. Duhet të ngritët cilësia në edukim dhe arsimim në përgjithësi”, ka thënë ai, duke shtuar se është koha që të krijojmë shkolla të forta e cilësore dhe këto projekte janë në këtë funksion, sepse shkolla nuk është vetëm mësimdhënia, por shumë të rëndësishme janë edhe aktivitetet sportive.

Ndërsa, ministri i Administratës Publike, Mahir Yakgjilar, ka thënë se sipas kontratës, këto salla sportive do të jenë të gatshme brenda 120 ditëve.

“Si Ministri jemi mbështetëse në këto dy projekte në Gjilan dhe shumë projekte të tjera nëpër Kosovë. Sipas kontratës së nënshkruar, këto salla do të jenë të gatshme brenda 120 ditëve. Palestrat sportive janë çështje e rëndësishme, sa i përket zhvillimit edukativ dhe njerëzor”, tha Yakgjilar, duke bërë të ditur se departamenti i inxhinierisë do të jetë monitorues si në aspektin e cilësisë ashtu edhe në atë kohor.

Kurse, në emër të Komunës së Gjilanit dhe në emër të kryetarit Haziri, të pranishmit me këtë rast i ka përshëndetur nënkryetari Rexhep Kadriu, i cili ka thënë se puna e cila ka nisur sot të bëhet për këto dy shkolla ka bërë që ne si Komunë të ndjehemi shumë mirë për kushtet që do të ofrohen për nxënësit tanë.

“Me punën që ka nisur të bëhet sot, bënë që ne si institucione komunale të ndjehemi mirë, sepse po zgjidhet problemi i sallave të edukatës fizike për këto dy shkolla. Këto dy projekte të mëdha dhe me standarde europiane u kanë munguar këtyre dy shkollave dhe komunitetit në këtë pjesë, sikur që kanë nevojë edhe shumë shkolla të tjera. Kjo është arritur falë angazhimit të Ministrisë së Arsimit, e cila, i ka orientuar këto dy projekte në shkollat me nevoja të mëdha për këtë qëllim”, tha nënkryetari Kadriu.

Ai ka shtuar se këto projekte janë jetike për nxënësit e këtyre shkollave, sepse periudha e vjeshtës, dimrit dhe pranverës së hershme kalonin pa aktivitete sportive të planifikuara, pikërisht për mungesë të ambientit dhe kushteve infrastrukturore.

Poashtu, edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Rexhepi që është nga fshati Pogragjë, ka thënë se salla e sporteve për shkollën “Liria”, është me shumë rëndësi për nxënësit dhe të rinjtë e këtij fshati me rrethinë.

“Shkolla “Liria” e Pogragjës, me dekada ka dëshmuar për aktivitete sportive, ku në këtë oborr të kësaj shkolle janë mbajtur gara nga më të ndryshme në nivel edhe të vendit., si në basketboll, hendboll por edhe aktivitete të tjera sportive. Sot në Pogragjë, po nis ky projekt që është pritur prej kohësh, për këtë fshat dhe rrethin, që kanë dhënë shumë për arsimin, kulturën dhe sportin e Kosovës”, tha, ndër të tjerash, deputeti Rexhepi.

Në emër të drejtorisë komunale të Arsimit të pranishmit i ka përshëndetur dhe falënderuar edhe drejtori i Nazmi Musa, i cili ka thënë se projekte të tilla dëshmojnë për përkushtim ndaj arsimit dhe ndaj krijimit të kushteve për të prekur vlerat gjatë të ardhmes. /2L ONLINE/