/2L ONLINE/ – Në Gjilan sot është mbajtur konferenca e parë informuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, e organizuar nga Instituti për Studime Politike dhe Grupi për Studime Politike dhe Juridike, në mbështetje të Ambasadës së Holandës në Kosovë dhe Komunës së Gjilanit, ku janë dhënë informacionet detaje për këtë marrëveshje, obligimet e Kosovës ndaj kësaj marrëveshje, por edhe roli i Komunave në përmbushjen e objektivave të cilat përbëjnë lehtësim të zbatimit të marrëveshjes gjatë të ardhmes.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se kjo marrëveshje është arritur me vështirësi dhe kushte të mëdha, në mënyrë që Kosova të ecë përpara drejtë integrimit dhe rrugës së saj të synuar për në BE.
“Kosova, ka kaluar fazën e parë atë të lirisë dhe krijimit si shtet, janë kaluar procese jashtzakonisht të rënda dhe rreth 10 vjet jemi duke punuar në rrugën tonë drejtë BE-së dhe në këtë proces të kësaj marrëveshje, ndërsa tani faza e parë është formalizuar. Është ngjarja më e mirë dhe më e madhe që Kosova ka pasur shpalljes së pavarësisë. Integrimet Evropiane janë rruga e vetme e Kosovës, nuk ka rrugë dhe alternativë tjetër. Lus edhe zyrtarët e Komunave të cilët merren me implementimin por edhe përfaqësuesit e qeverisë dhe institucioneve të tjera që do të bëjnë punën e tyre në implementim të kësaj marrëveshje, duke qenë vigjilent dhe duke marrë parasyshë që ky proces është i brendshëm, është kaptin që lëviz dhe që duhet të përmbushim qind për qind, në mënyrë që Kosova përmes saj të përfitoj shumë dhe dua kështu që të largohen zërat e ndryshëm skeptik që Kosova humb diqka. Kosova do të fitoj shumë më shumë se kaq, sepse përpara ka një qëllim, atë të integrimit në familjen Evropiane”, ka thënë në fjalën e tij, në këtë konferencë, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri.
Me fjalën e tyre janë paraqitur edhe drejtoresha e Institutit të Prishtinës për Studime Politike që njëherit ka kryesuar këtë konferencë, Leonora Kryeziu, pastaj Felix Rathje, nga zyra për Politika në zyrën e BE-së, Venera Ramaj nga Ambasada e Holandës në Kosovë, Arjeta Meraj hulumtuese nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Jeton Karaqica nga Ministria e Integrimeve Evropiane dhe të tjerë të pranishëm, të cilët këtë marrëveshje e kanë cilësuar si një hap të fuqishëm të ecjes së Kosovës, dhe një mundësi e madhe për përgatitjen edhe në aspektin e zhvillimit të gjithmbarshëm të Kosovës në raport me konkurrencën Evropiane. Ata më tej kanë përshkruar edhe shembujt e tjerë të ndjekur nga shtetet anëtare para Kosovës, por edhe vështirësit dhe rrugën që të tjerët kanë kaluar para nesh e të cilat duhet t’i kemi parasyshë.
Ndryshe në këtë takim kanë qenë të ftuar të marrin pjesë zyrtarë të Komunave të ndryshme të regjionit të Gjilanit. /2L ONLINE/