Në Gjilan u mbajt debati me temë “Qeverisja e re, projektet e reja – aktuale”

Në Gjilan u mbajt debati me temë “Qeverisja e re, projektet e reja – aktuale”

Nën organizimin e klubit të gazetarëve “Beqir Musliu” në Gjilan është mbajtur sot debat me temë, “Qeverisja e re, projektet e reja – aktuale”, në të cilin, në emër të kryetarit Lutfi Haziri, ka marrë pjesë nënkryetari Arbër Ismajli, drejtorë komunalë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe kryetarë të këshillave të fshatrave.

Në adresimin para të pranishmëve, nënkryetari Ismajli ka falënderuar klubin e gazetarëve për organizimin e debateve tejet të rëndësishme, ndërkaq ka folur për projektet në kuadër të prgramit “Gjilani 2017 plus”.

“Mund t’iu them me kompetencë se programi qeverisës Gjilanit 2017 plus është hartuar në bazë të kërkesave dhe rekomandimeve të kryetarëve të këshillave të fshatrave dhe vendbanimeve. Siç e ka theksuar kryetari Haziri, programi “Gjilani 2017 Plus”, është program për zhvillim të infrastrukturës, arsimit, kujdesit shëndetësor, zhvillimit lokal ekonomik, përmban pakon për familjen bujqësore, zhvillimin e politikave të rinisë, avancimin e gruas në vendimmarrje dhe për një sport të afirmuar edhe ndërkombëtarisht”, ka thënë Ismajli.

Ai theksoi se tashmë ka filluar implementimi i projekteve të mëdha në infrastrukturë, ndërsa një pjesë tjetër pritet të nis gjatë javëve në vazhdim.

“Përpos disa projeketeve të mbetura, e që nuk janë shumë, po punojmë shumë në përfundimin e lumit “Mirusha” gjatë këtij mandati, ndërsa pjesa e parë e sheshit përfundon në javën e ardhshme për të vazhduar me pjesën tjetër pas hotelit “Kristal”. Jemi në implementim edhe të projektit të rindërtimit të Stadiumit të Qytetit, ndërsa besojmë që së shpejti do ta marrim konfirmimin e qeverisë së Austrisë për ndërtimin e kolektorëve të ujërave të zeza dhe ndërtimin e shtratit të lumit “Stanishorka”. Projekti i ndërtimit të trasesë Gjilan-Livoç i Ulët po vazhdon me intensitet të shtuar, përderisa shpejt do të nis edhe ndërtimi i rrugës hyrëse-dalëse Gjilan-Penda e Livoçit”, ka nënvizuar nënkryetari Ismajli.

Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik, Valbona Tahiri, është shprehur se tashmë e kanë bërë planin e punës për zhvillim të Gjilanit, duke përfshirë implementimin e strategjisë për gratë 2018-2021, e që kjo përkthehet me hapje të vendeve të reja të punës.

Ajo theksoi se Komuna do të ofroj qasje proaktive për investitorët, për ta fuqizuar edhe më shumë Partneritetin Publiko Privat për shërbime sa më cilësore për qytetarët.

Ndërsa, drejtori i Urbanizimit, Bekim Bajrami, ka deklaruar se sa i përket lejeve të ndërtimit, të gjitha lëshohen në bazë të planifikimit zhvillimor urban, duke shtuar se po punohet sipas ligjeve në fuqi.

Në këtë debat kanë kontribuar me diskutime edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe kryetarët e këshillave të fshatrave.

Shemsedin Elezi, kryetar i këshillit në Zhegër dhe asambleist, tha se me investimet që janë bërë në këtë fshat nga Komuna, kanë përmirësuar cilësinë e jetës për banorët, duke shpresuar se roli i tyre do të fuqizohet akoma më shumë në këtë mandat.

Ibish Ibish, asambleist i AAK’së, ka kërkuar që të bëhet një strategji për mbrojtjen e mjedisit, ndërsa kryetari i Këshillit në Pogragjë, Qamil Rexhepi, ka falënderuar kreun e Gjilanit për realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore atje.

Tefik Selimi ka pyetur rreth fillimit të ndërtimit të “Rrugës së Kumanovës”, Shaban Terziu ka përgëzuar Komunën për ndërtimin e sheshit mbi lumin “Mirusha”, Beqir Gagica për ndërtimin e një parku nacional, Fadil Gashi ka sygjeruar që të bëhet objekti i integruar i administratës, ndërsa Demir Krasniqi ka kërkuar investime në rrjet të kanalizimit në një pjesë të “Zabelit”.

Në fund, nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë se të gjitha kërkesat nga debate do të diskutohen në mbledhjen e ardhshme të bordit të drejtorëve, ndërka ka dhënë lajmin e mirë se është formuar një Task Forcë për caktimin e lokacionit të varrezave të qytetit për të bërë një zgjidhje afatgjate.

KOMENTE