/2L ONLINE/ – Në kuadër të “Javës së Europës”, në Gjilan është mabjtur sot debati i dytë me temën “Ndikimi i MSA-së dhe liberalizimi i vizave në biznes”, i cili është organizuar nga Zyra për Integrime Evropiane dhe në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Diplomaci.
Debatin e ka hapur zyrtari komunal për integrime, Burim Elezi, i cili ka theksuar faktin se sot, shumë kosovarë, akoma nuk e dinë se çfarë do të thotë të integrohesh ne BE, për shkak se nuk është shpreguar sa duhet procesi.
“Ne, si institucione lokale, por në veçanti ato qendrore, duhet t’i kushtojmë më shumë rëndësi informimit”, tha Elezi, i cili në cilësin e panelistit, ka folur për aspektin ekonomik, politik dhe atë të legjislacionit.
Selim Daku, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Diplomaci, ka thënë se miratimi i MSA-së dhe liberalizimi i vizave për Kosovën, mund të shënoj fillimin e fazës së fundit të tranzicionit të vendit.
Ndërkaq, Gentrit Murseli, njohës i çështjeve europiane, ka vlerësuar se nëse MSA nuk shfrytëzohet në mënyrën më të mirë, duke bërë reforma të thella ekonomike, Kosova humbë shumë.
“Në 3 vitet e ardhshme, Kosova duhet të bëjë reforma të thella fiskale, pra ekonomike, sikurse edhe në administratë dhe fusha tjera”, tha Murseli.
Ndërkohë, Uran Salihu, ekonomist, ka deklaruar se pas MSA-së dhe liberalizimit të vizave, bizneset e Kosovës ndoshta nuk do të mund t’i përballojnë produkteve të huaja, pra konkurrencës, derisa Valdrin Halimi, kryetar i Këshillit të Veprimit Rinor Lokal, tha se Kosova ka instrumente dhe duhet të punoj shumë për të mbrojtur cilësinë e produkteve të tregut tonë.
Betim Lafiti, ekonomist, tha se pas MSA-së, BE e njeh Kosovën, për shkak se nuk mund të realizohen marrëveshje pa qenë Kosova shtet, ndërsa kanë dhënë vlerësimet e tyre edhe Jona Musmurati, Ilir Vokshi e Rashit Gjaka. /2L ONLINE/