Në Gjilan shënohet Dita Ndërkombëtare e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve
/2L ONLINE/ – Në Komunën e Gjilanit simbolikisht është shënuar Dita Ndërkombëtare e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, ku me këtë rast një grup i fëmijëve të Gjilanit i shkollave fillore, është pritur nga nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, i cili i ka informuar ata për angazhimet që është duke i bërë qeverisja komunale, në përmirësimin e kushteve për fëmijët, duke bërë investime publike si në çerdhe, shkolla fillore dhe të mesme etj.
“Komuna e Gjilanit është e përkushtuar të vazhdoj edhe më tutje me punë në krijim të kushteve më të mira për fëmijët. Jemi të vendosur t’i promovojmë të drejtat e fëmijëve ngase fëmijët janë garanti kryesor i ardhmërisë së vendit tonë. Ndjehemi krenarë që Gjilani ka talentë të shumtë që kalojnë përmasat e një qyteti dhe shpeshherë edhe të kufijve të vendit tonë, duke qenë shembull edhe karshi botës dhe shteteve më të fuqishme”, ka thënë nënkryetari Kadriu, duke ju uruar fëmijëve këtë ditë me porosinë që të jenë edhe më të angazhuar në mësime, sepse, aty është çelësi i sukseseve në të ardhmen.
Edhe zyrtarja për të drejtat e fëmijëve Hanumshahe Rexhepaj, ka thënë se mbështetja e Komunës është e përhershme dhe në funksion të ngritjes dhe mbështetjes për fëmijët./2L ONLINE/
