Në Gjilan, regjistrimi i pronave në emër të femrave ka trende pozitive
/2L ONLINE/ – Në mbledhjen e Komitetit për Barazi Gjinore, të kryesuar nga Xhylishene Berisha, është dhënë një informatë nga drejtori i Bujqësisë, për kriteret dhe përfitimin e gjinisë femrore nga subvencionet e kësaj drejtorie, si dhe është dhënë raport lidhur me statistikat e regjistrimit të pronave private, në emër të pronarëve të gjinisë femrore.
Me këtë rast kryesuesja Berisha, ka falënderuar drejtorët, atë të bujqësisë, Ramiz Ramadani dhe drejtorin e Gjeodezisë, Sadudin Berisha, për përgjigjen e ftesës për pjesëmarrje në komitet dhe ka pohuar se komiteti do të angazhohet në vazhdimësi, në nxitjen e femrave që të jenë pjesëmarrëse përmes projekteve në bujqësi dhe ka apeluar që edhe në aspektin e titullarit të pronësisë të jenë të barabartë dy gjinitë.
Në informatën e drejtorit Ramadani, është thënë se subvencionet në bujqësi, ndahen sipas kritereve, por me theks të veçantë dhe me përkushtim, trajtohen kërkesat të cilat janë bërë nga gjinia femrore.
“Të gjitha kërkesat dhe aplikacionet të cilat vijnë në drejtorinë e bujqësisë, shqyrtohen me shumë kujdes, posaqërisht ato që vijnë nga gjinia femrore, edhe pse numri i tyre të shumtën e kohës është simbolik. Është i nevojshëm një promovim dhe nxitje e femrave për të aplikuar për subvencione, e një rol të rëndësishëm mund ta luaj edhe ky komitet, sepse aplikacionet e gjinisë femrore, për subvencione, apo grante edhe në ministri të Bujqësisë poentohen më shumë se sa për meshkujt, që do të thotë se ka interesim të institucioneve që femrat të jenë pjesëmarrëse përmes projekteve dhe çdo herë në nivelin lokal ne punojmë që femra të jetë përfituese. Poashtu në një apo formë tjetër, përmes të gjitha këtyre subvencioneve që ndahen nga drejtoria jonë, indirekt janë përfituese edhe femrat, sepse subvencionet janë për familjet dhe përfitimi është i përbashkët”, ka thënë drejtori Ramadani.
Ndërsa, në raportin e drejtorit të Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës, Sadudin Berisha, lidhur me regjistrimin e pronave me titullar të pronës nga gjinia femrore, ai ka thënë se ka lëvizje pozitive në këtë drejtim, por ende titullarët femra janë më pakë në bazë të statistikave.
“Lidhur me regjistrimin e pronave në emër të pronarëve femra, ende ka përqindje të vogël në këtë drejtim, megjithse për vitin 2015, nga regjistrimi i përgjithshëm i pronave, për këtë periudhë kohore-një vjeçare, rreth 35% të pronave janë regjistruar në emër të gjinisë femrore. Kështu që mund të themi se kemi trende pozitive në këtë drejtim, mirëpo ka ende punë për tu bërë, sepse në përgjithësi në Kosovë përceptimi mbi barazinë gjinore është ende shumë i varfër”, ka thënë ndër të tjerash drejtori Berisha.
Kurse, nga shoqëria civile, respektivisht nga organizata “Agro Eko”, është kërkuar të rekomandohet për në seancën e Kuvendit të Komunës si pikë e veçantë, plotësim ndryshimi i rregullores për themelimin e Këshillave të Fshatrave, sepse kjo rregullore precizon që në secilin këshill duhet të jetë një femër anëtare dhe kështu kufizon pjesëmarrjen e gjinisë femrore.
Prandaj, përfaqësuesja Shahadije Rexhepaj, ka kërkuar që kjo rregullore të harmonizohet me ligjin e ri për barazinë gjinore, të nxjerrur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Me shumicë apsolute është rekomanduar nga Komiteti kjo kërkesë, sepse siç u tha në komitet, të gjitha aktet nënligjore duhet të jenë në harmoni me ligjin. /2L ONLINE/
