Në Gjilan promovohet ftohësi për ruajtjen e pemëve të imëta Calabria
/2L ONLINE/ – Në fshatin Shillovë, sot është bërë përurimi i fillimit të punës së fabrikës regjional të ngrirjes “Calabria”, e cila ka aftësinë e saj për të luajtur një rol të rëndësishëm në tregtimin e pemëve të imëta dhe vishnjeve të kultivuara në rajonin e Anamoravës.
“Calabria”, ka privatizuar me sukses fabrikën në Shillovë-Gjilan, në vitin 2014, ndërsa rehabilitimi i tërësishëm i objektit është bërë në vitin 2015.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se përcaktimi i Komunës së Gjilanit, që fokusin kryesor të investimeve ta mbajë kah bujqësia, po jep rezultate dhe garancion në praktikë për bujqit.
“Mbështetja në bujqësi është mbështetje në zhvillim ekonomik. Komuna e Gjilanit për këto vite ka rritur investimet dhe subvencionet për bujqësinë, duke stimuluar punimin e tokës dhe rritjen e prodhimeve bujqësore. Kjo fabrikë tash e tutje është një garancion për prodhuesit, sepse grumbullimi, tashmë është i sigurtë dhe rritja e mirëqenies në familje vjen nga punësimi dhe gjenerimi i të ardhurave. Tani e tutje kërkohet prodhim dhe urojmë që ky vit të jetë i bereqetshëm për tokën e Gjilanit dhe këtij regjioni”, tha ndër të tjerash kryetari Haziri.
Ndërsa, Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se mbështetja e ministrisë do të jetë përherë e më e madhe për prodhimin e pemëve të imëta dhe bujqësinë në përgjithësi.
“Këtë vit falë edhe mbështetjes dhe angazhimit të organizatave të fuqishme ndërkombëtare, siç është USAID, ne kemi fokusuar mjete më shumë drejtë bujqësisë dhe saktësisht pemëve të imëta. Po punojmë së bashku edhe me nivelin lokal të qeverisjes dhe me fermerët që prodhimi nga toka e Kosovës të jetë përherë e më i madh, jo vetëm për konsum të brendshëm, por edhe për eksport të produkteve tona. Kjo fabrikë është një mundësi shumë e madhe për fermerët e këtij regjioni, sepse është afër dhe në të njëjtën kohë është garantues i ruajtjes së prodhimeve”, ka thënë Krasniqi, duke apeluar që të punohet sa më shumë toka, ngase zhvillimi dhe punësimi ndodhë pikërisht në bujqësi.
Drejtori i Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, ka thënë se kjo fabrikë ndikon në punësim, rritje të shitjes, eksport, prodhim dhe punim të tokës njëkohësisht.
“Kjo fabrikë është një mundësi e madhe dhe e mirë për këtë regjion. Është mundësi e mirë për fermerët, sepse nga këtu sigurohet punësimi, rritja e shitjes së prodhimeve, eksporti, nxitja e punimit të tokës dhe prodhimit të pemëve të imëta. Rritja e zhvillimit ekonomik agrar ka bazë në dy faktorë, atë të investimit të teknologji bujqësore dhe mbështetje të fermerëve të vegjël. Falë përkushtimit të Ministrisë dhe Komunave, ky sektor ka një rrugë të suksesshme edhe pse të vështirë, por me rezultate të dukshme gjithandej”, ka thënë ndër të tjerash ai.
Ndërsa nga ana e tij Xhelal Selimi, pronar i fabrikës “Calabria”, ka thënë se fabrika për ngrirjen e pemëve do të lidhë kontrata me fermerët që ata të dorëzojnë këtu prodhimet dhe kështu e kanë të sigurtë shitjen e mallit të prodhuar.
“Planifikimet e fabrikës janë që të krijojmë lidhje zyrtare me fermerët, në mënyrë që ata të kenë të sigurt tregun dhe destinimin e produkteve të prodhuara. Kapacitetet për grumbullim janë të mëdha, por, mbetet angazhimi i bujqëve që të bëjnë prodhimin dhe zgjerimin e parcelave me pemë të imëta dhe vishnje. Gjatë sezonit edhe numri i punëtorëve do të jetë më i madh drejtëpërdrejtë në fabrikë dhe indirekt shumë më i madh përmes fermerëve”, ka thënë në fjalën e tij pronari Selimi.
Ndryshe, dhomat e ngrirjes kanë kapacitet për ruajtjen e 3000 ton metrikë të produkteve të ngrira në temperaturë deri në minus 25 gradë celsius. Kapacitetet e ngrirjes janë deri në 8.5 ton metrikë në orë. Drejtues të kësaj fabrike bëjnë të ditur se ka kapacitete të grumbullimit të gjithë prodhimit të këtyre kulturave për regjionin e Gjilanit. /2L ONLINE/
