Në Gjilan promovohen librat e Adnan Merovcit “Në hap me Rugovën” dhe “Kështjella e (Mos) Marrëveshjes”

Në Gjilan promovohen librat e Adnan Merovcit “Në hap me Rugovën” dhe “Kështjella e (Mos) Marrëveshjes”

Janë promovuar të enjten në Gjilan dy librat e ish shefit të protokollit të presidentit Ibrahim Rugova, Adnan Merovcit, “Në hap me Rugovën” dhe “Kështjella e (Mos) Marrëveshjes”.

Në adresimin para të pranishmëve të shumtë, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se kjo ngjarje shënon përkujtimin dhe freskimin e të gjithëve për një periudhë jashtëzakonisht të rëndë e që njihet si Epoka e Rugovës.

Ai tha se njeriu që i ka qëndruar afër 24 orë dhe shtatë ditë Ibrahim Rugovës, po e zbardhë një pjesë të të panjohurës së veprës së madhe që është realizuar në atë kohë.

“Ibrahim Rugova ka punuar nëntë vite e gjashtë muaj për ta bindur botën se opsioni më i mirë për të gjithë është rruga kalimtare, pra tranzicioni që ne kemi kaluar. Në fakt, kjo ka ndodhur. Rugova ka qenë 100 hapa para shqiptarëve dhe një hap para politikës ndërkombëtare. Republika morale e Ibrahim Rugovës është ndërtuar de fakto dhe njerëzit e Kosovës kanë filluar të besojnë se kjo Republikë duhet të legjitimohet ndërkombëtarisht”, ka thënë Haziri.

Në superlativ për këto dy libra, në këtë ngjarje ka folur edhe deputetja e Kuvendit të Republikës, Lirije Kajtazi dhe shkrimtari i njohur gjilanas, Sabit Rrustemi.

Ndërsa, autori i librave “Në hap me Rugovën” dhe “Kështjella e (Mos) Marrëveshjes”, e ka falënderuar kryetarit Haziri për mundësinë e ofruar për t’i promovuar këto libra.

Ai tha se ndihet jashtëzakonisht mirë që këto libra nuk janë kontestuar nga asnjë njeri.

“Vërtetë nuk është kontestuar libri “Kështjella e (Mos) Marrëveshjes” sepse është ditar, është faktologji. Mendoj që kjo duhet të jetë porosia e secilit sepse fjala e Rugovës ka qenë: ‘po t’i kishim disa letra në histori, ndryshe do t’i kishim punët”. Që domethënë se i kishim pasur më mirë. Libra për Rambujenë kanë shkruar shumë autorë, por në këtu ka një stenogram për çdo gjë që ka ndodhur. Pra, është një unicitet në vete dhe mendoj që është shpërblim i mirë për publikun”, theksoi Merovci.

Merovci ka paralajmëruar librin e ardhshëm “Pengu”, si përshkrim në detaje për 36 ditët e rënda të ngujimit të ish-presidentit Rugova në shtëpinë e tij.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në fund tha se promovimi elitar i këtyre dy librave do të bëhet edhe në Bibliotekën e Qytetit.

KOMENTE