DYLON

Në Gjilan prezantohet Strategjia për Vetqeverisjen Lokale 2016-2026

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, mbështetur nga misioni i OSBE-së në Kosovë dhe në bashkëpunim me Komunat e Regjionit të Gjilanit, sot është bërë prezantimi i Strategjisë për Vetqeverisjen Lokale 2016-2026.

Përmes strategjisë parashihet reformim i përgjithshëm, duke nisur nga baza ligjore, reformimi në nivelin lokal në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive ligjore, por me gjithpërfshirje në këtë proces, si dhe rritjen e kompetencave dhe përgjegjësive, sikur që është i paraparë përmes këtij dokumenti dhe veprimeve konkrete të jetë i përfshirë pos reformës në administratë edhe multietniciteti, promovimi i qytetarisë aktive, promovimi i aktiviteteve kulturore dhe qëllimi kryesor, ai i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik – lokal dhe rishqyrtimi i kufijve të Komunave si një nevojë e ndërhyrjes për shkak të problemeve që janë të paraqitura.

EkoHigjiena

Në këtë punwtori të pranishëm ishin edhe zv.ministri i MAPL-së, Bajram Gecaj, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe kryetarë e përfaqësues të tjerë, të komunave të këtij regjioni.

Me këtë rast zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj tha se Strategjia për Vetëqeverisje Lokale është një punë afatgjate e MAPL-së e cila ka adresuar kërkesat për avancim të rolit dhe funksionit të pushtetit lokal në zhvillimin e shtetit dhe shoqërisë në përgjithësi.

“Komunat kanë një numër të konsiderueshëm të kompetencave të cilat janë të përcaktuara me legjislacion. Ato gjatë procesit të konsolidimit dhe reformimit të pushtetit lokal, janë përballur me vështirësi në aspektin politik, ligjor, sistemor, organizativ, territorial, ekonomik, financiar, administrativ, pronësor dhe çështje tjera. Për të trajtuar të gjitha pengesat që kufizojnë komunat në konsolidimin e demokracisë lokale, MAPL, ka hartuar Strategjinë për Vetëqeverisje Lokale 2016-2026 dhe Planin e Veprimit 2016-2026. Problemet e theksuara në komuna ndër vite kanë reflektuar nevojën për ndryshime thelbësore në kontekst të menaxhimit të punëve publike, menaxhimit efikas financiar dhe aftësisë për absorbimin e kërkesave të qytetarëve, të cilat do të ndikonin në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe zhvillimit të gjithëmbarshëm shoqëror”, tha ndër tjerash zv. ministri Bajram Gecaj, duke ofruar mbështetjen e fuqishme të MAPL-së.

Ndërsa në fjalën e tij kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se së bashku me shoqërinë civile, bizneset dhe me grupet tjera të interesit në Gjilan, kanë dhënë dhe po japin kontribut në këtë drejtim, në mënyrë që qeverisja të jetë në shërbim të qytetarëve, zhvillimit ekonomik dhe pjesëmarrjes së përgjithshme, pa dallime etnike, gjinore apo fetare.

“Në nivelin lokal jemi të fokusuar që qytetarit të Gjilanit t’i japim shërbimet e para dhe të fundit për të përmbushur dhe realizuar kërkesat e ndryshme që ata kanë ndaj shtetit, gjithnjë duke qenë në harmoni dhe përgjegjësinë ligjore. Është koha e reformimit të sistemit lokal në afatet e parapara dhe do të bëjmë Komunën shtëpi të qytetarëve, ku shërbimet nga niveli lokal të jenë dorë e mbështetjes për qytetarët, bizneset, shoqërinë civile dhe qytetarët në përgjithësi. Është poashtu, koha që të ndodhë delegimi i përgjegjësive dhe detyrave në Komuna, sikur që poashtu duhet të merren detyra edhe nga niveli lokal, ngase disa përgjgjësi që sot kanë Komunat për shkaqe të kufizimeve buxhetore ato janë një barrë e rëndë për Komunat. Poashtu duhet të bëhet përshtatja e përgjegjësive të Komunave të mëdha dhe atyre më të vogla”, tha ndër të tjerash kryetari Haziri, duke ofruar bashkëpunim të fuqishëm në këtë strategji dhe spikatjen e sfidave dhe problemeve që kanë Komunat e Kosovës deri më tani.

Ndërsa, Drejtori i Departamentit për Demokratizim në OSBE, Christopher Touch, tha se OSBE do të vazhdojë të punojë ngushtë me MAPL-në dhe me Komunat në realizmin e objektivave të Strategjisë për Vetëqeverisje Lokale, për të ndërtuar sistem sa më të mirë të qeverisjes në shërbim të qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik lokal, si dhe promovimin e multietnicitetit, promovimit gjinor dhe pjesëmarrjes në vendimmarrje të qytetarëve dhe shoqërisë civile. /2L ONLINE/