Në Gjilan nis trajnimi dyditorë për bizneset sociale dhe zejtarët
/2L ONLINE/– Ka nisur sot në Gjilan trajnimi dyditorë për bizneset sociale dhe zejtarët, projekt ky për “Valorizimin e tregtisë/zejeve tradicionale dhe potencialeve të ekonomisë sociale në Komunën e Çairit dhe atë të Gjilanit”, që mbështetet nga Zyra e Kryetarit të Komunës dhe Komisioni Europian.
Në këtë ngjarje ka marrë pjesë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, drejtori për Zhvillim Ekonomik, Agim Zuzaku, përfaqësues të këtij projekti, përfaqësues të organizatës MDA, pastaj nga RDA dhe shoqëria civile.
Kryetari Haziri me këtë rast e ka falënderuar Komisionin Europian për mbnështetjen, ndërkaq ka theksuar se Komuna do të vazhdoj ta mbështes zhvillimin e zejeve, konkretisht bashkimin e tyre në një vend.
“Ju e dini që Gjilani është përfitues i programit për bashkëpunim ndërkufitar me Komunën e Çairit dhe shtyllë apo kurriz e këtij programi është valorizimi dhe zejet tradicionale. Ky program është vetëm një hap që ne e kemi ndërmarrë me Komisionin Europian. Do të vazhdojmë ta mbështesim zhvillimin e zejeve, bashkimin e tyre në një vend, me subvencione e me mënyra tjera në mënyrë që ta zbusim problemin dhe ta ndihmojmë zhvillimin e këtij projekti, jashtëzakonisht të nevojshëm”, tha kryetari Haziri.
Kreu i Gjilanit pohoi se synim i tij dhe i Komunës është që të ndërtohet gjenerata e re e cila e siguron, e mban dhe e zhvillon këtë aktivitet.
“Kujdesi dhe ruajtja ndaj zejeve në këtë fazë për neve ka qenë i një rëndësie të veçantë. Ne dëshirojmë që jo vetëm ndarje të eksperiencave, por edhe në mundësi për njerëzit që duan të hyjnë në këto profesione, që ta ndërtojmë gjeneratën tjetër e cila e siguron, e mban dhe zhvillon këtë aktivitet. Ju uroj dhe ju lus që të gjitha kërkesat t’i valorizoni në kuptimin e plotë të fjalës në mënyrë që të kemi mundësi ta kombinojmë programin e KE-së dhe buxhetin e Komunës sonë në mënyrë që ta zhvillojmë një hap më shumë”, është shprehur ai.
Drejtori për Zhvillim Ekonomik, Agim Zuzaku, tha se si Drejtori, do ta japin maksimumin në mbështetjen e këtij projekti, i cili do të krijoj kushte dhe mundësi më të mira për zejtarët e Gjilanit.
Në emër të zejtarëve ka folur orëpunuesi, Shyqyri Sahatçiu, i cili e ka falënderuar kryetarin Haziri dhe Komisionin Europian për ndihmën e dhënë zejatrëve, të cilët janë krenaria e Gjlanit.
Menaxherja e këtij projekti, Gëzime Idrizi, ka thënë se përfitues të granteve nga ky projekt do të jenë 20 biznese sociale dhe zeje tradicionale, ndërkaq kriteret i ka caktuar Komisioni Europian, sikurse edhe përzgjedhja që do të bëhet nga ana e tyre.
Në këtë trajnim u tha se kjo është një mundësi shumë e mirë për punën e bizneseve sociale, për avancimin e tyre dhe për përfitimin e përvojave të reja./2L ONLINE/
