(2L ONLINE) – Në DKA kanë deklaruar se janë bërë përgatitjet e duhura për fillim të mbarë të vitit të ri shkollor. Objektet shkollore, në përgjithësi, i plotësojnë kriteret, me ndonjë përjashtim, për nismë të mbarë të mësimit me 1 shtator. Shkollat duhet ta bëjnë punën e tyre. Ndërhyrjet politike në shkolla e dëmtojnë dhe e zvetënojnë procesin arsimor. Shkolla duhet të jetë plotësisht e pavarur nga ndikimet politike, fetare dhe të tjera.
“Njerëzit nuk duhet ta presin shpëtimin dhe mirëqenjen e tyre me lutje nëpër faltore apo me nënshtrimin ndaj fatalitetit, por me punë intelegjente dhe me përpjekje të vazhdueshme” – /Sami Frasheri/.
Shkruan: Nexhat BUZUKU
Gjilan – Komuna e Gjilanit, me qeverisjen e kryetarit Lutfi Haziri, megjithatë, ka shënuar progres në të gjitha fushat. Proceset në shoqëri janë shumë dinamike dhe dramatike, prandaj është vështirë që të gjithave t’u japësh zgjidhje në kohën e duhur.
Cili është qëllimi i këtij shkrimi? Jo të mbajë anë apo të shënjestrojë dikë. Pozitë apo opozitë. Mirëpo, nuk jam simpatizant as duartrokitës i të keqes, as i shikimit vetëm me dioptri të zezë të gjërave të mira. Atyre që merren me politikë dhe burim jetese e kanë atë edhe mund t’u lejohen këndvështrimet, pasqyrimet, perceptimet dhe analizat, po edhe opinionet extra kritike, skajshmërisht kritike, por jo të ngarkuara me qëllime e qëndrime nihiliste, denigruese e paraqitje të gjendjes në mënyrë fataliste.
Jo pak qytetarë deklarojnë se nuk lexojnë gazeta as nuk shohin lajmet në televizionet tona, sepse u kanë ardhur te hunda kronikat e zeza, lajmet e zeza dhe mohimi i çdo gjëje që bëhet, duket se është mirë. Gjilani ka shënuar përparim. Nuk mund të mohohet se në Komunën e Gjilanit ka progres, ka zhvillim, ka ecje, ka ndryshime në infrastrukturën rrugore, shkollore, administratë etj.
Qytetarët deklarojnë se nuk presin për të rregulluar një dokument në cilindo sektor dhe shërbim të administratës komunale. Është për t’u vlerësuar rregulli dhe mirësjellja e të gjithë zyrtarëve në administratën publike, korrektësia dhe efikasiteti në kryerjen e punëve.
Nuk po merrem me mushkonjat, sepse anulimi i tenderit nuk ishte në interesin e shëndetit qytetar. Fundja, më shumë vlen shëndeti i njeriut se sa paratë. Për këtë përgjegjësinë e bartin grupet e këshilltarëve në KK, dhe aty secili merr vlerësimin nga qytetari.
Qyteti i Gjilanit është kryeqendër e Anamoravës dhe e Luginës së Preshevës, edhe si territor, edhe si qendër arsimore, shëndetësore, kulturore, mediatike (informative). Gjilani dallohet për siguri të jashtëzakonshme, si qendër tregtare, me kapacitete prodhuese dhe zhvillimore, me zona të preferuara hoteliere dhe turistike. Këtë e them duke pasur parasysh Edhe Kllokotin, edhe Novobërdën…, sepse kur të pyet dikush jashtë Kosovës nga je e nga vjen, nëse i thua nga Kamenica, Novobërda apo Vitia, do të pyetesh ku janë këto vende, prandaj përmendet Gjilani. Komuna e Gjilanit admirohet së bashku me Prizrenin ndër qytetet më të preferuara brenda Kosovës dhe jashtë saj.
Këtë nuk mund ta mohojmë.
Po kthehem te qëllimi dhe esenca e shkrimit. Sistemi arsimor në Kosovë është i nivelit ballkanik, ndoshta edhe nën këtë nivel. Mirëpo, për këtë nuk e bart përgjegjësinë Komuna, as qeverisja e tashme, as ajo e kaluara. Për sistemin arsimor në Kosovë përgjegjësinë e bart MASHT-i, dhe përgjegjësit e saj duhet të mos vazhdojnë të mbeten pengesë e ndryshimeve të shpejta e të duhura në sistemin arsimor. Çfarë kurikule arsimore është ajo që e konsideron reformë të arsimit heqjen e lëndëve kyçe mësimore nga shkollat, të cilat mësojnë e udhëzojnë praktikat jetësore njerëzore (Filozofia), sjelljet e individëve dhe të shoqërisë e të proceseve mendore (Psikologjia), rregullat e të menduarit, format dhe ligjësitë e të menduarit, pa të cilat nuk mund të kuptohet mirë as matematika (Logjika), gjuha e cila është baza e terminologjisë mjekësore dhe e thënieve e mendimeve të shumta (Gjuha Latine) etj.
Sistemi arsimor në Kosovë nuk mund të ndryshojë as nuk do të ndryshojë me militantë e partizanë të partive politike. Këtë mund ta bëjnë njerëzit me dije, njerëzit me identitet arsimor në lëmitë përkatëse, por jo, po e përsëris, me argatë të partive.
Për shkollat. Sa janë të gatshme objektet shkollore për të pranuar nxënësit ditën e hënë? Me përjashtime të vogla, për të thënë minore, shkollat i plotësojnë kushtet për mësim. I lexova deklaratat e drejtorit të DKA-së, Nazmi Musa, dhe këshilltares së PDK-së në Kuvendin Komunal, Fatbardha Selmani lidhur me përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. I pari në frymën afirmative dhe angazhimit për nisje të mbarë dhe, tjetri, me frymë opozitare të kritikës por edhe të mohimit. I njoh edhe njërin edhe tjetrin. Njerëz të urtë, të zgjuar, me përpjekje inteligjente për të bërë më të mirën. Musa ka dhënë saktësisht shifrën e shkollave ku janë bërë e po bëhen riparimet, sipas nevojave të atyre shkollave. Është çështje tjetër nëse punëkryesit e bëjnë punën mirë dhe me kohë. Janë shërbimet përkatëse apo komisionet komunale që vlerësojnë nëse këto riparime i plotësojnë kushtet teknike, ku hyjnë edhe aspekti higjienik, sanitar etj.
Mirëpo, nëse ndonjë shkollë nuk është gati për të pranuar nxënësit me 1 shtator, atëherë nuk bëhet “kiameti” të shtyhet mësimi për një apo dy javë. Ajo që është qenësore në sistemin arsimor është puna në ngritjen e cilësisë në mësim, që kuadri që jep mësim të mos mbështetet vetëm letra fakulteti dhe grada arsimore (diploma), por që ato të jenë ekuivalente me dijen. Në këtë rrafsh, prindërit duhet të kujdesen maksimalisht se çfarë bëjnë fëmijët e tyre pas orarit shkollor, sepse shkolla i përgatit të bëhen të ditur (mjeshtër) në profesionin që kanë zgjedhur, i udhëzon se si duhet mësuar – punuar, por nuk mund ta bëjë punën e tyre.
Shkollat duhet ta bëjnë punën e tyre. Ndërhyrjet politike në shkolla e dëmtojnë dhe zvetënojnë procesin arsimor. Shkolla duhet të jetë plotësisht e pavarur nga ndikimet politike, fetare dhe të tjera. Mësimdhënësit që propagandojnë e predikojnë politikë dhe fe në shkolla nuk duhet të lejohen të dalin para nxënësve. Religjioni mësohet në kuadër të filozofisë dhe sociologjisë, janë të parapara njësitë mësimore, por mësimdhënësi nuk ka të drejtë të dal jashtë interpretimit shkencor. As ata që në orët mësimore në vend të mësimit tregojnë barsoleta nuk e kanë vendin në shkolla. Me këtë çështje duhet të merret DKA-ja, Inspektorati Rajonal i Arsimit dhe MASHT-i. Të tillëve duhet t’u merren licencat arsimore.
Shkollat janë tempuj të dijes dhe shtylla të shtetit.
Në anën tjetër, shteti duhet të respektojë dinjitetin e apostujve të shkollave, po i quaj mësimdhënësit, dhe t’u jap dëmshpërblimin për vitet e punës nën okupim, si dhe të kujdeset për paga të dinjitetshme.
Qeverisja e kaluar për gabimet që bëri mori ndëshkimin. Prandaj, çdo punë a veprim i keq merr çmimin e vet, që pashmangshëm është ndëshkimi që jep qytetari. /2L ONLINE/