Arti, muzika, ushqimet tradicionale dhe puntori të ndryshme janë karakteristikë e këtij festivali i cili mbanë emrin nga antikiteti për lumin Morava
Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me “Balkan Union”, këtë vit prezantojnë festivalin veror “ANGROS” i cili po mbahet me 3, 4 dhe 5 gusht 2018.
Organizatorët kanë thënë se emri i këtij festivali “Angros” ishte emri i lumit Morava në antikitet.
“Ky festival është një iniciative e nxitur nga nevoja për aktivitete rekreative dhe edukative gjatë muajve të verës kur qyteti i Gjilanit ka ardhjen e qytetarëve të saj nga diaspora, pastaj kthymi i studentëve nëpër shtëpitë e tyre dhe mysafir të ndryshëm që japin një gjallëri të madhe dhe dinamikë jetës në Gjilan”, kanë thënë përgjegjësit nga festivali Angros.
Këtë vit mbahet edicioni i parë dhe ka një program mjaft të pasur me grupe të ndryshme muzikore dhe DJ, kuzhinë tradicionale dhe aktivitete e lojëra tjera interesante për vizitorët.
Si një ndër ngjarjet më të mëdha në qytet, festivali është kujdesur për të gjitha detajet në mënyrë që vizitorët të kenë rehati dhe siguri – ndërsa shijojnë aktivitetet dhe produktet më të mira të vendit.
Në aspëktin kulturor festivali Angros, është kujdesur që të pasqyroj autenticitetin dhe atributet unike të qytetit – përfshi edhe artistë të ndryshëm të vendit me prezantime dhe veprat e tyre.
Kjo mënyrë e ekspozimit të vlerave të qytetit përballë bashkëatdhetarëve dhe në bashkëpunim me rininë gjilanase siguron që vlerat tona të promovohen edhe tek diaspora dhe kështu të kontrbuojmë në bashkëpunim artistik e kulturor edhe me potencialin tonë në Evropë.
Hapja e festivalit gjatë ditës së djeshme kishte në vete Ekspozitën, pastaj Zumba dance, bende të ndryshme muzikore nga Gjilani, Kosova e Shqipëria.
Dita e sotme është përcjellë me ushqime tradicionale, pastaj organizimi i punetorisë në fushën e Artit dhe riciklimit, në fushën e fotografisë, pastaj Stand Up comedy nga aktori, Avni Shkodra, Tanju Şerif, Dagg X base, Lilac, Leke dhe Toton nga Kosova.
Ndërsa, dita e nesërme 5 gusht pos tjerash ka edhe Yoga, Ushqimi tradicionale, Vazhdimi i punës së puntorive, Poezi dhe përmbyllja e festivalit.