/2L ONLINE/ – Në Komunën e Gjilanit është mbajtur edicioni i njëmbëdhjetë i ekspozitës ndërkombëtare, “Salloni Vjeshtor”, ku janë ekspozuar dhjetëra punime në pikturë, grafikë, skulpturë dhe fotografi, nga artistë të vendeve të ndryshme nga rajoni dhe më gjerë.
Në këtë ekspozitë për të cilën ishte i përgatitur edhe katalogu me punimet e ekspozuara, ka një fjalë edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka thënë se kultura dhe shprehja artistike në shumicën e vendeve të botës krahasohet me humanizmin, me njerëzoren, me pastërtinë e shpirtit etj., që i arrin këto, me ide dhe teknika të cilat janë pjesë të rëndësishme të krijimit artistik.
“Kultura në Gjilan ka marrë hove të mëdha pas luftës por jo mjaftueshëm, por si qeverisje komunale jemi duke punuar dhe kemi ndërmarrë disa hapa në institucionalizimin e kulturës dhe bazamentit të saj për gjeneratat që do të vijnë, në mënyrë që të kenë më të lehtë kultivimin e artit në një vend siç është Kosova”, thuhet ndër të tjerash në fjalën e tij.
Në këtë mbrëmje ishte edhe nënkryetari i Komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri, i cili ka thënë se ndjehet i nderuar të marrë pjesë në ngjarje dhe aktivitete kulturore që janë me shumë rëndësi për kulturën e një vendi.
“Kjo ekspozitë e karakterit ndërkombëtar ka punime që edhe neve që nuk jemi profesionistë në këtë lëmi, na tërheqin që të qëndrojmë më shumë pranë këtyre punimeve dhe ti ndjejmë për përmbajtjen që kanë dhe materialin që transmetojnë tek ne”, tha nënkryetari i Novobërdës Ymeri.
Ndërsa, Bujar Haziri nga Njësia për Kulturë, Rini dhe Sport, ka thënë se ky organizim lë të kuptoj se Gjilani është vërtetë qendër e kulturës, e artit dhe e organizimeve që bëjnë të tërheqin shumë vizitor në organizime të ndryshme.
“Këto vepra janë ajo që mundëson të tërheqë sa më shumë njerëz në përcjellje të këtyre punimeve. Është mirë që tashmë ky organizim i Sallonit Vjeshtor është tradicional dhe ky është edicioni i njëmbëdhjetë”, tha Bujar Haziri. /2L ONLINE/