(2L ONLINE) – Në Komunën e Gjilanit sot ka ardhur kontingjenti i ndihmave për shoqatën e HANDIKOS-it, Kryqin e Kuq dhe Spitalin Regjional, që është në pajisje të ndryshme për personat me aftësi të kufizuara, për pacientët dhe për veshmbathje, që është vlerësuar me një rëndësi të veçantë dhe mbështetje për këtë kategori të shoqërisë dhe për pacientët në përgjithësi, të ardhura nga populli austriak.
Me këtë rast U.D. i Drejtorit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Muhamet Kastrati, në emër të kryetarit të Komunës, Lutfi Hazirit, ka falënderuar të gjithë, duke thënë se mbështetja e popullit Austriak dhe e bashkatdhetarëve tanë në diasporë është përherë aktive dhe kjo dëshmon një lidhje emocionale dhe shpirtërore që ata kanë me vendin e tyre.
“Kjo është një dëshmi e lidhjes shumë të ngushtë që kanë bashkatdhetarët tanë në diasporë me vendin e tyre, prandaj humaniteti i tyre dhe i popullit austriak për të kontribuuar për njerëzit të cilët kanë nevojë jashtë shtetit të Austrisë është për t’u falënderuar në mënyrë të veçantë. Falë shpirtit humanitarë të të gjithë këtyre, ne sot kemi pranuar një donacion që pikëprek kategori të shumta të shoqërisë sonë në Komunën e Gjilanit. Të gjitha këto pajisje janë një shërbim i veçantë si për Handikos-in ashtu edhe për pacientët të cilët kërkojnë ndihmën e mjekut në spital, por edhe për personat tjerë të cilët kanë nevojë për veshë – mbathje”, tha ndër të tjerash Kastrati.
Abdylatif Latifi, drejtor në Spitalin Regjional të Gjilanit ka thënë se kjo është një ndihmesë solide, por që do të hyj jashtëzakonisht shumë në punën e spitalit gjatë trajtimit të pacientëve të cilët drejtohen në këtë institucion shëndetësor.
“Kjo është një ndihmë solide dhe një iniciativë e vullnetit të mirë dhe human të bashkatdhetarëve tanë dhe e popullit austriak, që neve në SRGJ, do të na hyj në punë jashtëzakonisht shumë. Për spitalin janë ardhur disa krevate dhe pajisje të tjera përcjellëse për ta, që do të mundësojnë kushte edhe më të mira për pacientët të cilët kërkojnë ndihmën e institucionit tonë”, ka potencuar Latifi ndër të tjerash.
Kurse, Hermann Hochreiter, drejtor i shoqatës bamirëse Rumanienhilfe Gunskirchen dhe iniciatorët Rexhep Isufi e Naser Shkodra, të cilët jetojnë prej vitesh në Austri e që janë nga Anamorava, kanë thënë se kjo iniciativë është e katërta për Kosovë, tri herë më parë këso ndihma janë dërguar në disa qytete të tjera të Kosovës, ndërsa kësaj radhe kemi zgjedhur Gjilanin. Ata kanë thënë se fokusi i tyre është ndihma e drejtpërdrejtë tek personat të cilët kanë nevoja të veçanta dhe shëndetësia. Megjithatë ata kanë paralajmëruar se para vitit të ri planifikojnë të sjellin edhe një kontingjent tjetër të tillë në Kosovë.
Nga ana tjetër Fatmir Shurdhani nga shoqata Handikos, ka thënë se këto ndihma në pajisje janë shumë të mirëseardhura për Handikos-in.
“Janë ndihma që do t’i shërbejnë shumë Handikos-it, duke u nisur nga karrocat lëvizëse, karrocave të tualetit, shëtitoreve, kukëzave, shtretër për personat e lidhur për shtrati dhe pajisje të tjera që do të hyjnë shumë në funksion për të gjitha kategoritë që dedikohen”, ka pohuar Shurdhani.
Ndryshe organizata Rumanienhilfe Gunskirchen dhe Hilfsprojekt Konigsfeld Deutsch Mokra, ndihma të tilla kanë dërguar edhe në Hungari, Rumani, Ukrainë, Kosovë dhe vende të tjera të shumta të cilat kanë nevojë, ndërsa sot ka arritur në 355 numri i kontingjenteve të tilla të shpërndara nëpër botë që nga fillimi i punës së këtyre shoqatave./2L ONLINE/