DYLON

Në Gjilan hapet zyra e Sekretariatit të Përbashkët Teknik për bashkëpunim ndërkufitar

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Në Komunën e Gjilanit sot është bërë inaugurimi i Sekretariatit të Përbashkët Teknik, në bashkëpunim dhe mbështetje të Zyrës së Bashkimit Evropian, konform bashkëpunimit që kanë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në Kosovë dhe Ministria e Vetëqeverisjes, në Maqedoni. Kjo zyrë është një hapësirë e re e përshtatur për të përmbushur kërkesat në rritje dhe pritjet e reja të periudhës së Programit IPA II, që mbulon periudhën 2014-2020.

Sekretariati i Përbashkët Teknik, do të jap informacione dhe mbështetje teknike për partnerët e mundshëm dhe të kontraktuar të projektit, për të mbështetur zbatimin e thirrjeve për propozime dhe të lehtësojë monitorimin dhe administrimin e projekteve ndër-kufitare.

EkoHigjiena

Një zyrë e tillë do të jetë edhe në Kumanovë që do të luaj një rol të njëjtë me këtë të Gjilanit.

Ndërsa në emër të zyrës së Bashkimit Evropian, në Kosovë ka folur, Libor Chlad, zëvendës drejtor për kooperim në zyrën e BE-së në Kosovë, ka thënë se programi për bashkëpunim ndërkufitar do të zbatohet në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit IPA II, i cili mbështet bashkëpunimin ndërkufitar me qëllim të nxitjes së marrëdhënieve të mira fqinjësore, nxitjen e integrimit të shteteve dhe promovimin e zhvillimit socio-ekonomik.

“Objektivi i përgjithshëm i programit është të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, atë social dhe territorial të zonës së programit duke nxitur integrimin, zhvillimin e përbashkët dhe përdorimin e potencialeve dhe mundësive për të bërë zonën ndërkufitare tërheqëse për të jetuar dhe punuar. Gjatë këtyre viteve, 2014-2020 do të lansohen dy thirrje për propozime në kuadër të këtij programi, paraprakisht në qershor 2016 dhe në tetor të vitit 2018. Fondet në dispozicion për periudhën 2014-2020 janë 8.4 milionë euro. Ne presim dhe shpresojmë që projektet e financuara përmes skemës së grandeve BNK që do të implementohen ne periudhën 2016- 2020 do të stimulojë rritjen e përgjithshme ekonomike në zonat kufitare nëpërmjet partneritetit efektiv dhe fitimprurës mes qeverisë qendrore dhe asaj lokale por edhe të komuniteteve lokale”, ka thënë ai ndër të tjerash.

Besim kamberaj, udhëheqës i deopartamentit për zhvillim rajonal në kuadër të MAPL, ka thënë se kjo zyrë është mundësi e mirë për të gjitha Komunat që janë pjesë e programit.

“Është një mundësi shumë e mirë për këto Komuna që janë pjesë e programit Kosovë- Maqedoni, për organizatat jo-qeveritare dhe përfituesit e tjerë potencial. Është mundësi shumë e mirë e zhvillimit, pasi tashmë jemi duke hyrë në fazën e IPA 2, dhe mundësi të mëdha që të përfitojnë numër i madh përmes projekteve të ndryshme”, ka thënë ai ndër të tjerash.

Ndërsa nga ana e tij, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dhënë mbështetje kësaj zyreje duke pohuar se Gjilani është qytet mikëpritës dhe pionier i bashkëpunimit ndërkombëtare.

“Jemi mikëpritës dhe pionier të bashkëpunimit ndërkufitar me qëllim të nxitjes së zhvillimit ekonomik lokal. Jemi këtu jo vetëm në këtë kuadër të bashkëpunimit Gjilan-Çair, por edhe si iniciues të mikro-regjionit Gjilan-Kumanovë-Preshevë. Po punojmë që ta zgjerojmë bashkëpunimin ndërkufitarë mes këtij regjioni ku tashmë kemi konfirmimin e 17 komunave për bashkëpunim. E rëndësishme është që barrierat në kufi të largohen, kështu së paku këtë vit do të përfundoj pikëkalimi në Stanqiq dhe barrierat do të bien gradualisht. Uroj që Zyra të operoj me sukses dhe të nxjerr fitues të mirë, që do të shërbejnë për mbështetje të komunave dhe ndikim në zhvillim”, ka thënë kryetari Haziri.

Ndryshe, zyra gjendet në në Gjilan, konkretisht përballë zyrave të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit. /2L ONLINE/