Në Gjilan hapet për herë të parë në nivel vendi zyra regjionale e IPK-së
/2L ONLINE/ – Është hapur të enjten për herë të parë në nivel vendi zyra regjionale e Inspektorialit të Policisë së Kosovës, zyre kjo për ankesat e qytetarëve ndaj sjelljes së policëve të regjionit të Gjilanit.
Zbulimin e plaketës së kësaj zyreje e ka bërë kryeshefi i Inspektorialit të Policisë së Kosovës, Fitim Shishani, nënkryetari i Komunës, Rexhep Kadriu, kryeprokutori Jetish Maloku, sikurse që morën pjesë edhe përfaqësues nga policia lokale dhe regjionale dhe nga EULEX.
“E falënderojmë IPK-në që e ka bërë të mundur ta hapet një zyre për herë të parë në Kosovë, pikërisht në Gjilan. Kjo është bërë falë angazhimit të policisë, gjyqësisë, prokurorisë. Ne emër të kryetarit Haziri ju them se do ta keni përkrahjen maksimale të Komunës së Gjilanit. Kjo është zyre e veçantë sepse ankesat e qytetarëve do të drejtohen drejpërdrejt dhe do të shqyrtohen në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë me këtë rast nënkryetari Kadriu.
Fitim Shishani, kryeshef i Inspektoriatit të Policisë së Kosovës, tha se po fillojnë me regjionalizimin e zyrave për të qenë sa më afër qytetarëve dhe që të ruhet dhe kultivohet kredibiliteti i Policisë së Kosovës.
“Kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme sepse po hapet një zyre për ankesa për qytetarët e Gjilanit dhe institucionet të cilat veprojnë në Gjilan. Jam shumë i lumtur që po startojmë në Gjilan dhe jam shumë i lumtur për bashkëpunimin e me Komunën. Po fillojmë me regjionalizimin e zyrave për të qenë sa më afër qytetarëve dhe që ta ruajmë dhe ta kultivojmë ende kredibilitetin e Policisë së Kosovës”, ka thënë Shishani.
Kryeprokurori i Prokurorisë së Gjilanit, Jetish Malokum tha se ndihet mirë që në Gjilan po hapet kjo zyre, ndërkaq u zotua se do të vazhdojnë bashkëpunimin e shkëlqyeshëm./2L ONLINE/
