(2LONLINE) – Është domosdoshmëri e kohës që kjo legjislaturë e Kuvendi Komunal të Gjilanit përveç ndryshimit dhe plotësimit të statutit të Komunës sonë do të duhej të ngritë një komision për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe institucione publike.
Qyteti i Gjilanit është duke u shtuar me rrugë e lagje ,por edhe kemi një numër të shkollave që ende nuk janë emërtuar prandaj duhet të mbyllet ky proces që është zgjatur e stërzgjatur pa asnjë arsye.
Së pari Institucionet publike e rrugë që ende kanë mbetur pa u emërtuar, por edhe rrugë e institucione që janë emërtuar por do të duhej të rishikohen-rivlerësohen. Të gjithë këto të bëhen në bashkëpunim me lokalitetet dhe vendbanimet përkatëse, pra në bashkëpunim dhe me pëlqimin-miratimin e tyre. Vetëm një shembull, në Lagjen Zabel ku jetojmë, shkolla është pa emër gati pesë vjet, por edhe shumica e rrugëve nuk janë të emërtuara ende.
Gjilani si qendër Rajonale e Anamoravës të bartë emra, si :Presheva, Bujanoci e Kumanova , prandaj mungojnë emërtimet si Martirët e Medvegjës, Dëshmorët e UÇPMB-së,etj. Ne vetëm i renditëm disa nga këta që ekspertët dhe historianët do të shtojnë listën me emra që e meritojnë për emërtime të Institucioneve publike.
Gjilani do të duhej krijuar ura miqësie, binjakëzime e bashkëpunim në të gjitha fushat dhe të vëllazërohet me Komunën e Kumanovës, Likovës, Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës duke përfshi edhe respektin e ndërsjellët në emërtime.
Kuvendi i Gjilanit, përveç emërtimeve, propozojmë të shpallin qytetarë nderi edhe personalitete nga këto hapësira si që është ende në jetë dhe pas vdekjes (post mortum), ndonjë falënderim, dekoratë në fushë të Arsimit, Kulturës, Sportit etj. Gjilani do të duhej edhe të shpallte qytetar nderi ndonjë figurë a personalitet nga Gjilani, Anamorava dhe Komunat fqinjë më të cilat kufizohet në të dy anët e kufirit. /2lonline/
Refik HASANI