Në Gjilan asnjë uzurpim i pronës publike për perudhën janar – mars 2016
/2L ONLINE/ – Në konferencën për media të drejtorit të Drejtorisë së Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës, Sadudin Berisha, është prezantuar raporti për periudhën janar-mars 2016, për këtë resor, duke u potencuar suksese të ndryshme në të gjithë sektorët e kësaj Drejtorie. Lidhur me sektorin e uzurpimet e pronës publike, drejtori Berisha ka thënë se kjo periudhë falë komunikimit të mirë me qytetarët dhe vetëdijësimit të tyre, ka kaluar pa asnjë uzurpim të vetëm të pronës publike.
“Periudha tre-mujore, ka kaluar pa asnjë uzurpim të pronës publike. Është duke u kuptuar tashmë se prona publike asnjëherë nuk përvetësohet, por ajo mbetet publike në shërbim të të gjithë qytetarëve. Në vitin 2015 kishim gjashtë uzurpime, prej tyre një është ekzekutuar dhe pesë të tjera janë në proces gjyqsor”, ka thënë drejtori Berisha.
Ai ka thënë se para vitit 2015 kishim rreth 90 raste të uzurpimeve, ku një pjesë e vogël e tyre janë për kthim të pronave, ndërsa një pjesë janë vetëm me dënime financiare nga gjykata, për të shtuar se në këtë periudhë është bërë punë e madhe gjithandej dhe njëkohësisht edhe janë kthyer përgjigje të shumta si dhe janë dhënë shërbime-produkte të ndryshme nga kjo Drejtori.
“Në këtë periudhë kemi punuar në përcaktimin e kufijve përgjatë lumit në fshatin Livoç i Ulët, pastaj kufijëve për rrugën në fshatin Llashticë, caktimi i pikave për shpronësimet në lumin ‘Mirusha’ dhe aktivitete të shumta e të ndryshme ditore në këtë sektor të matjeve. Poashtu, janë caktuar matje për lokacionin e ndërtimit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, lokacionit për ndërtimin e Shtëpisë së Pleqëve dhe propozim zgjidhje të ndryshme të pronës publike dhe asaj private”, tha ai.
“Në këtë vit për këtë periudhë kohore kemi 1 mijë lëndë më shumë se sa periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Kemi tejkalim të të hyrave për më shumë se 100% nga planifikimi vjetor për këtë periudhë”, pohoi ai para gazetarëve.
Në lagjen Zabeli i “Sahit Agës”, është bërë për herë të parë identifikimi i pronës publike dhe nuk ka uzurpime klasike.
“Për herë të parë bëhet identifikimi i pronës publike në këtë lagje dhe është, poashtu, fat i madh që në këtë lokacion nuk kemi uzurpime klasike. Gjithashtu, stafi i Drejtorisë është duke punuar vazhdimisht në rregullimin e çështjeve pronësore-juridike në lagjen “Dardania” dhe nuk e kemi asnjë ankesë nga qytetarët për matjet dhe përcaktimin e gjendjes faktike dhe asaj juridike në këtë pjesë, megjithse ka lëvizje plus apo minus në metrat katrore, sepse në vitet e 70-ta, matjet nuk kanë qenë të asaj që kemi sot për sa i përket saktësisë dhe teknologjisë”, ka thënë drejtori i Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës, Sadudin Berisha./2L ONLINE/
