DYLON

Në Gjakovë u mbajt tryezë shkencore kushtuar Aqif Blytës

Avatar photo Redaksia

Në pallatin kulturës Asim Vokshi në Gjakovë është mbajtur tryezë shkencore me temën: Aqif Blyta dhe mbrojtja e Pazarit të Ri. Ky aktivitet u organizua nga organizata “ Kosova për Sanxhakun” në bashkëpunim me shoqatën e intelektualëve “ Jakova” nga Gjakova. Aktiviteti po ashtu u zhvillua edhe nën përkujdesjen e kryetares së komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila.

Në tryezën shkencore pjesëmarrësit kanë paraqitur një kërkesë për presidenten e vendit,Atifete Jahjagën. Pjesëmarrësit kanë kërkuar që Aqif Blyta të nderohet me titullin Hero i Popullit.

EkoHigjiena

Kërkesa është paraqitur me iniciativë të Ismet Azizit, kryetari i shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, organizatë kjo që njëherit u kujdes edhe për organizimin e kësaj tryeze. Azizi, duke folur në lidhje me veprimtarinë patriotike të Aqif Blytës, arsyetoi kërkesën drejtuar presidentes:

“Qëllimi kryesor i takimit të sotshëm është që pikërisht sot nga ky tubim këtu, nga qytetarët e Gjakovës të dërgohet një kërkesë për kryetaren e shtetit, zonjën Atifete Jahjaga, që Aqif Blytën ta nderoj me urdhrin Hero të Popullit. Ky do të ishte kulminacioni i këtij tubimi”, tha Azizi.

Me këtë rast drejtori për kulturë në Gjakovë, Meriton Ferizi, në emër të kryetares Kusari-Lila, për Aqif Blytën ndau mirënjohjen “Post Mortum”. Ferizi, pos tjerash, deklaroi:

“Në emër të komunës së Gjakovës, sot të ndajmë edhe mirënjohje “Post Mortum” për Aqif Blytën me motivacionin – për vlerat e tij patriotike në pengimin e shpërnguljes së popullsisë nga trojet e veta të krahinës së Sanxhakut, si dhe për mbrojtjen e popullit të kësaj krahine nga gjenocidi i armikut”.

Përfaqësuesit e familjes Blyta, falënderuan kryetaren Kusari-Lila, Drejtoratin për Kulturë, shoqatën e intelektualëve “ Jakova”, sidomos organizatën “ Kosova për Sanxhakun” e cila bëri shumë dhe hapi edhe një dritare për ta njohur jetën dhe veprën e Aqif Blytës.

Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të institucioneve komunale dhe historianë të cilët vlerësuan lart kontributin dhe figurën patriotike të Aqif Blytës. Me kumtesa janë paraqitur: Ali Daci nga Rozhaja, Fazli Muriqi nga Rugova, Zahir Kastrati nga Polluzha , Admir Muratoviq nga Pazari i Ri, Alban Dobruna nga Gjakova, Ismet Azizi nga Gjilani dhe Masar Rizvanolli nga Gjakova. Ndërsa në pamundësi pjesmarrjeje, punimet e tyre i dërguan: Nexhmedin Spahiu, Mazllum Baraliu dhe Sulejman Aliqkoviq.

Në fund u zhvillua debat i hapur dhe i frytshëm me pjesëmarrës për figurën dhe veprimtarinë e Aqif Blytës. Vlen të theksohet se në kumtesën e tij Prof. Dr. Admir Muratoviq, i cili është drejtor i Institutit për Hulumtim të Krimeve ndaj popullatës së Sanxhakut, kryetar i Bashkësisë Kulturore të Sanxhakut dhe ligjërues në Universitetin Internacional të Novi Pazarit, pjesëmarrëseve ua bëri me dije se personaliteti i Aqif Blytës për Sanxhakun është sikurse ai i Adem Jasharit për Kosovën.

Organizatorët u zotuan se aktivitete të ngjashme për Sanxhakun do të organizohen edhe nëpër vendbanimet tjera.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.