Në fshatin Ramnishtë ka filluar projekti i kanalizimit
/2L ONLINE/ – Në fshatin Ramnishtë të Vitisë, sot ka filluar projekti i ndërtimit të kanalizimit që do të shtrihet në një gjatësi prej 7 kilometrash. Në ceremoninë solemne të fillimit të punimeve, pos strukturave komunale, ishin të pranishëm edhe banorë të Ramnishtës dhe mysafirë nga lokalitete të tjera.
Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka thënë se ky projekt i kanalizimit në Ramnishtë, ka qenë nevojë e kahershme, por sivjet është hyrë në listën prioritare të projekteve të komunës që të realizohet.
“Sot do të fillojmë të realizojmë projektin e kanalizimit këtu në Ramnishtë dhe besoj se në planin dinamik dhe në afatin e paraparë, do të kryhet ky projekt I mirëpritur nga qytetarët. Pas përfundimit të projektit të fshatit Lubishtë vitin e kaluar, jemi zotuar që sivjet të nisim edhe këtu. Në këtë mënyrë ne po shkojmë radhazi që të realizojmë projekte të kanalizimit edhe në ato fshatra që ende nuk e kanë të rregulluar rrjetin. Ramnishta nuk e ka vetëm këtë projekt sivjet, por ka edhe investime të tjera ngase si vendbanim është lënë anash një kohë dhe e kemi pasur parasysh edhe si qeveri komunale por edhe si Kuvend komunal, që ato nevoja dhe kërkesa të banorëve të Ramnishtës të fillojmë ti përmbushim”, ka thënë kryetari Haliti.
Projekti rregullimit të kanalizimit në Ramnishtë do të kushtoj afër 119.000 euro dhe financohet nga buxheti komunal i Vitisë./2L ONLINE/

