Në fokus të takimit ishte pajisja e Departamentit të Radiologjisë me pajisje të reja radiologjike
“Sot, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjilan, u prit në takim znj. Ikuko INOUE, Koordinatore e Grantit pranë Ambasadës së Japonisë. Qëllimi i takimit ishte diskutimi i mundësisë së mbështetjes dhe investimit në QKMF, përmes financimit të pajisjeve të nevojshme për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore”, bëhet e ditur në njoftimin e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DSHMS) në Gjilan.
Sipas drejtuesve ët kësaj drejtorie, në fokus të takimit ishte pajisja e Departamentit të Radiologjisë me pajisje të reja radiologjike, si dhe sigurimi i disa defibrilatorve, me qëllim rritjen e kapaciteteve diagnostikuese dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve emergjente për qytetarët.
Gjatë vizitës u pa nga afër hapësira e Departamentit të Radiologjisë, përfshirë zonën e renovimit ku është planifikuar instalimi i pajisjeve. Gjithashtu, u diskutuan nevojat konkrete të QKMF-së.
“Takimi ishte një hap i rëndësishëm në drejtim të konkretizimit të mbështetjes së mundshme nga Ambasada e Japonisë për QKMF-në e Gjilanit, me synim forcimin e infrastrukturës dhe pajisjeve shëndetësore dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët”, thuhet në fund të njoftimit të DSHMS-së. /2LONLINE/
