(Shembulli i atij që nuk di t’i bëj dallimet terminologjike, dallimet esenciale që i emërojnë këto terme, është sikurse shembulli i atij qënuk di t’i largojë lëvozhgat e arrave kur ushqehet me to, duke e gëlltitur pjesën që hahet me gjithë lëvozhgë, pra duke rrezikuar dy herë: Një herë për t’u ngulfatur a plasur gjatë procesit të të ushqyerit dhe herën e dytë gjatë aktit të zbrazjes fiziologjike, duke u rrezikuar nga kapsllëku ose që ta plasë zorrën e trashë…)
Shkruan: Imer TOPANICA
Kushdo që e sheh islamin si një vlerë të skaduar, si relikt dhe për më tepër si një pengesë për zhvillimin, integrimin, emancipimin kulturor, politik e social të shoqërisë, në të vërtetë është kundër: Kulturës së pastërtisë, kundër kultivimit të besimit se një është e Vërteta, kundër të drejtës së njeriut për të besuar, kundër vlerave të familjes së shëndosh si celulë e shoqërisë, kundër kontributit të muslimanëve në çlirimin dhe krijimin e shteteve shqiptare (këtyre që i kemi sot, sado arritje gjysmake të jenë), kundër kultivimit të tolerancës ndërfetare, kundër një pjese të identitetit kombëtar, pra në fakt janë kundër nesh dhe kundër vetvetes së tyre (Nëse është prej të tillëve, ai refuzon të pranojë se, islami ka vlera pra është kundër çdo vlere që ngërthen kultura islame përgjithësisht)!
Po të na pyes një i huaj rreth termeve si : Terrorizëm islamik, ekstremizëm islamik etj, se ç’kuptim kanë këto togfjalësha, në të vërtetë, do të futemi në një ngatërresë të madhe kuptimore, sa as semiologjia më e sofistikuar nuk do ta shtjellonte dot, në qoftë se përgjigja jonë do të ishte: “Islam – e ka kuptimin Paqe, ndërsa termet si terrorizëm dhe ekstremizëm, ju i kuptoni!” Sepse ai do të vazhdonte me siguri me: “Aha, e keni fjalën për një lloj budizmi, sepse paqja ekstreme manifestohet vetëm me një lloj të tillë të botëkuptimit, të artikuluar pra jo vetëm në formën shpirtërore por edhe fizike!” Si të ja bëjmë hallit pastaj, si t’ia përkthejmë domethënien e padomethënie (se islami nuk është budizëm, e as budizmi islam, ndonëse mund të kenë elemente periferike të përbashkëta?) ???
Mirëpo kjo etiketë, sado e paqëndrueshme, sado e pakuptimtë, përdoret dendur dhe me mjaft efikasitet nga ata që për synim e kanë shkatërrimin e kësaj vlere të pamohueshme të shoqërisë shqiptare, veçanërisht pjesës e cila identifikohet me të. Ditëve të fundit, në mënyrën më brutale, më të ulët, është kultivuar kjo lloj stigme karshi muslimanëve (pa bërë as përpjekjen më të vogël që të diferencohen ata që dyshohen për terrorizëm, prej pjesës tjetër, që vazhdon të tregohet tolerante, përkundër rrethanave). Një presion i tillë nuk është njohur as parë kaherë.
Një ministër në detyrë madje pati guxim ta shfaqte qëndrimin e tij të hapur antiislamist, një ministër i cili erdhi në krye të detyrës ta përmirësonte gjendjen e mjerueshme në sferën e arsimit, gjë që nuk e bëri, e më pas në mandatin e tij të dytë, në cilësinë e një kryediplomati i cili për detyrë kishte, jo vetëm grishjen e shteteve të botës, për ta njohur shtetin më të ri në rruzull, por integrimin e këtij shteti në strukturat euroatlantike, gjë që prapë dështoi ta bënte. Nuk e bëri sepse e kishte të pamundur. Si ta bënte, kur qeveria pjesë e së cilës ishte, e kishte për detyrë t’i plotësonte këto kushte të vëna nga strukturat relevante ndërkombëtare, respektivisht evropiane: Që ta luftonte korrupsionin, nepotizmin, krimin e organizuar, ta bënte përmirësimin e gjendjes ekonomike e sociale, me një fjalë, t’i përmirësonte standardet në të gjitha fushat, fusha të cilat i ka kapluar një paralizë, në kuptimin e funksionimit.
Megjithatë Kryediplomati kosovar, i vetëdijshëm për mossuksesin e tij, për mossuksesin e qeverisë pjesë e së cilës është, hedh gurin e diku tjeter, me një deklarim prej arroganti e injoranti se në vazhdimësi paska mbrojtur “interesin shtetëror të Kosovës” qysh me aktin e pozicionimit të qartë “për temën e radikalizmit fetar që nga vendimi si ish Ministër i arsimit për ndalimin e bartjes së shamisë në shkolla, parandalimin e mësimit fetar në shkolla dhe qëndrimin e hershëm për ta mbështetur një pako ligjore që e sanksionon pjesëmarrjen në luftëra jashtë Kosovës”. Ky abuzim flagrant me detyrën e tij vjen në kohën kur mandati i tij dhe i kolegeve të tij, po skadon. Efekti i politikave të qeverisë së tij, do të mbahet mend më së miri me një simbol, ai i burgut të sigurisë së lartë në fshatin Gërdofc të Podujevës. Kryediplomati edhe pse i shkolluar në perëndim edhe pse i njohur me sintagmën e urtësisë universale që thotë “Hape një shkollë, mbylle një burg”, vazhdon të përpiqet të ia shtojë jetëgjatësinë dekadencës kulturore të prodhuar për pesëmbëdhjetë vite, dekadencë në të cilën, më shumë se kushdo tjetër, ka gisht ai me ekipin e tij qeverisës!!
Një ministër dhe një qeveri në ikje, një turmë hipokritësh, nuk do ta pengojnë vizionin përparimtarë të qytetarëve musliman, të cilët, të parët bënë thirrje për një refuzim etik karshi ekstremeve. Askush nuk mund ta mohojë faktin se, vet muslimanët nëpër bashkësitë e tyre, janë në një përpjekje të vazhdueshme për t’i luftuar ekstremet përjashtuese, që përpiqen të identifikohen me atë që quhet islam i pastër. Të gjitha strukturat relevante shtetërore, pa i përjashtuar, nuk kanë bërë kurrfarë hapi efikas, për t’i ndih muslimanët, në një proces të tyre integrues, duke ua mundësuar një vet-diferencim me grupet ekstreme, respektivisht në mënyrë që pjesa tjetër, të shërohet. Përkundrazi, ata nuk bëjnë ndonjë dallim e as përpjekje sepse sepse siç e ka thënë vet Ministri Hoxhaj, radikalizëm dhe ekstremizëm është bartja e shamisë dhe institucionalizimi i edukimit fetar (ky i fundit, një element që do t’i luftonte kulturat ekstreme, përjashtuese, në mënyrën më të mirë).
(Kurrsesi nuk mund të pranojmë një logjikë degraduese karshi vlerave islame sepse, islami nuk është terrorizëm, nuk është ekstremizëm e as që ka të bëjë me ekstremet, islami nuk ndërlidhet gjë me to, është e pavërtetë çdo përpjekje që i barazon vlerën (islamin), me antivlerat (terrorizmin, ekstremizmin)… Logjika e udhëheqësve të tillë në nivel të shtetit, të cilët mendojnë se vendi i demokracisë bëhet me anë të shtypjes së një pjese të shoqërisë, është shkatërruese për të gjithë, këta lloj njerëzish janë pa vizion, duke qenë se vizioni i tyre i vetëm është arritja e karriges së pushtetit, këta makiavelistë, këta soj ekstremizmi i sofistikuar, i cili po na e ngulfatë demokracinë! /2L ONLINE/