Fjala e rektorit Bajram Kosumi në manifestimin e përvjetorit të tretë të Universitetit “Kadri Zeka” – Gjilan
***
Tre vjet më parë është themeluar Universiteti i Gjilanit. Ndërsa, në qershor të këtij viti do të diplomojnë studentët e parë të Universitetit Publik Kadri Zeka Gjilan. Ky është treguesi i parë se tashmë ditët e fëmijërisë së universitetit kanë kaluar.
UKZ ka 4 fakultete dhe 7 programe studimi dhe tashmë numëron rreth 5000 studentë. Në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti kemi pranuar edhe 13 profesorë të rinj, me të cilët numri i përgjithshëm i stafit akademik është ngritur në 31 profesorë dhe asistentë. Kjo ka bërë të mundur që të gjitha programet studimore të cilat i kemi në procesin e riakreditimit në këtë vit ta kalojnë me sukses fazën e parë: më 4 mars Këshilli Shtetëror i Cilësisë e hapi procesin e riakreditimit për këto programe.
Në anën tjetër, në maj të vitit 2015 u mbajtën zgjedhjet e studentëve, kurse zgjedhjet e përgjithshme në muajin qershor. U konstituuan organet e rregullta të studenteve: Këshillat e studenteve dhe Parlamenti Studentor kurse nga zgjedhjet e përgjithshme u konstituuan organet e rregullta: Senati dhe Këshilli Drejtues, të cilat më pastaj zgjodhën organe të rregullta menaxhuese të Universitetit.
Studentët e Fakultetit Ekonomik do të jenë të parët që do të marrin diplomat e UKZ. Diploma në emër të UKZ është sprova e parë me të cilën do të ballafaqohen studentët, profesorët, familjet dhe tregu i punës.
• Studenti do ta pyesë veten: a më siguron kjo diplomë një vend pune?
• Profesori e pyet veten: a është kjo diplomë garanci e dijes?
• Familja pyet veten: a ia ka vlejtë investimi tre vjeçar në shkollimin e fëmijës?
• Tregu i punës e pyet: a është ky a kjo studente e diplomuar garanci e zhvillimit?
Të gjithë pyeten rreth një diplome, rreth universitetit, rreth cilësisë së mësimeve, rreth profesoratit. Nëse përgjigjet për këto pyetje janë pozitive, të gjithë mund të flemë të qetë. Por nëse diploma nuk na siguron për vlerat e saja, detyrën tonë akademike nuk e kemi kryer si duhet.
Studentët dhe cilësia e studimit në UKZ është i vetmi motiv, i vetmi qëllim dhe e vetmja arsye pse jemi këtu. Universiteti është dera e një shoqërie: dera mund të jetë e hapur ose e kyçur. Nëse universiteti nuk krijon cilësi, nëse nuk krijon studentë të aftë, nëse nuk përgatitë njerëz për tregun e punës, atëherë universiteti është një portë e mbyllur. Nëse universiteti krijon cilësi, studentë të aftë e të përgatitur për tregun e punës, atëherë ai është një portë e hapur.
Tregu i punës është partneri më i madh i universitetit sepse ai do të furnizohet nga universiteti. Bizneset do të duhej ta shikonin universitetin si një investim edhe të tyre. Bizneset duhet të pyeten edhe për politikat programore e akademike të universiteteve. Në këtë mënyrë, trekëndëshi i krijuar: universiteti-qeveria (komunale dhe qendrore)-bizneset paraqet skemën e partnerëve dhe hisedarëve kryesorë të UKZ.
UKZ do ta dërgojë ofertën e vet për partnerët: do të forcojë programet ekzistuese studimore, duke i reduktuar ato në të cilat ka pasur një fluks të madh në vitet e fundit, dhe do të hapë programe të reja studimore, të gjitha në përputhje me kërkesat e tregut të punës.
Universiteti i Prishtinës është mëma e të gjitha universiteteve në Kosovë. Kjo është tradita shekullore universitare: një universitet i vjetër ndihmon krijimin e një të riu. Por, ne nuk synojmë ta kopjojmë nënën. Ne duam të krijojmë jo vetëm një universitet të pavarur, por edhe një universitet të veçantë, me programe studimore specifike, të krijojmë brendin tonë programor, në mënyrë që ta shndërrojmë Gjilanin në qytet universitar kosovar, gjithëshqiptar e rajonal.
Duke qenë UKZ në një territor që ndërlidhe Kosovën me trojet shqiptare në Jug të Serbisë, ai ka një rol të veçantë në ofrimin e shërbimeve edhe për të rinjtë e të rejat e këtyre trevave, të cilët nuk kanë shkollim superior në trojet ku jetojnë. Duke ndihmuar ata me shërbimet tona, ne do të ndihmojmë dhe thellojmë frymën e bashkëpunimit ndërshqiptar dhe ndërkufitar Kosovë-Serbi-Maqedoni.
Duke qenë Gjilani dhe Anamorava një territor me popullsi shumetnike, me katër komuna të vogla në të cilat serbët jetojnë në shumicë, UKZ me politikat e veta akademike, do të ndikojë në krijimin e urave të bashkëpunimit, të hulumtimit e të shkencës së përbashkët të të gjithë qytetarëve, pa asnjë dallim. UKZ është i hapur për të ofruar shërbime akademike në të gjitha programet studimore në të gjitha gjuhët e Kosovës dhe të atyre botërore.
Bashkëpunimi me universitetet e tjera është një prej parimeve akademike të universitetit tanë. UKZ bashkëpunon me një numër të konsiderueshëm të universiteteve, në vend, në rajon dhe në botë. Bashkëpunimi ynë është dhe do të jetë i gjithanshëm, por i fokusuar në mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik. UKZ tash është pjesë e projektit Green Tech në kuadër të Erasmus+ dhe pres që në të ardhmen të jemi pjesë e më shumë projekteve në kuadër të Horizont 2020.
Objekti në të cilën zhvillon procesin mësimor UKZ është i pranueshëm për një fazë kalimtare. Sa do ka hapësirë për numrin e tashëm të studentëve, këto hapësira nuk janë të përshtatshme për studime universitare, dhe as mund të korrigjohen. Synimi ynë për ndërtimin e kampusit universitar aty ku sot janë të vendosura FSK, në veri të Gjilanit në rrugën për Dardanë, mbetet e vetmja zgjidhje. Qeveria e Kosovës e ka përkrahur këtë projekt, po ashtu edhe Komuna e Gjilanit në Planin Urbanistik atë hapësirë e ka planifikuar për hapësira mësimi. Qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë këtë projekt që të na mundësojë fillimin e ndërtimit të kampusit. Universiteti dhe kampusi i tij nuk është asnjëherë projekt afatshkurtër: duhet të jemi të hapur dhe largpamës në këtë çështje dhe t’i hapim rrugë ndërtimit të kampusit universitar, si një aset i progresit të përgjithshëm shoqëror.
UKZ tash është në fazën kalimtare të konstituimit të tij në një universitet plotësisht funksional dhe të pavarur. UKZ është në përgatitje të të gjitha kapaciteteve për të funksionuar si i pavarur, prandaj na duhet një ndihmë e shtuar e Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë. Në bashkëpunim me MASHT ne kemi shpallur vitin 2016 si vit të pavarësimit të plotë të UKZ. Deri atëherë neve na duhet përkrahja e, në veçanti, e Ministrisë së Financave.
Të nderuar të pranishëm,
Duke festuar sot tre vjetorin e themelimit të UKZ në duhet të falënderojmë të gjithë ata persona që ndikuan dhe ndihmuan themelimin e tij. Fillimisht falënderojmë profesorët e vjetër të UKZ si dhe ekspertë të të gjitha fushave që e shtynë përpara idenë e formimit të UKZ, si dhe të gjithë politikanët që e përkrahën dhe morën vendimin për formimin e këtij universiteti.
Falënderojmë anëtarët e Këshillit të Përkohshëm Drejtues, kryetarët e KPD të cilët kanë ushtruar edhe detyrën e rektorit. Falënderojmë stafin akademik, Parlamentin Studentor dhe administratën e Universitetit për punën e madhe që janë duke e bërë në konsolidimin dhe në pavarësimin e Universitetit.
Falënderojmë qeverinë e Kosovës dhe Kuvendin e Kosovës, në veçanti Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport.
• Falënderojmë kryetarët e komunave të Anamoravës.
• Falënderojmë institucionet në nivel rajonal, si Spitalin Rajonal, Gjykatën themelore, Prokurorinë e Gjilanit etj., organizata të tjera biznesore publike, si dhe biznese private, të cilët kanë ofruar mundësitë e tyre për praktikën e studentëve të UKZ.
• Falënderojmë gjithashtu organizatat e shoqërisë civile dhe median të cilat po kultivojnë frymën akademike në këtë pjesë të Kosovës (RTK).
Me përkrahjen e të gjithëve, ne besojmë se UKZ do të jetë një derë në të ardhmen më të ndritur të shoqërisë sonë.
Na priftë e mbara të gjithëve!