/2L ONLINE/ – Pikërisht në Ditën Botërore të Poezisë, 21 marsin, që shënon dhe ditën e Pranverës, shkrimtari Sabit Rrustemi i paraqitet publikut me librin e tij më të ri, “Grafite nënlëkurore”, edituar nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”.
Ky libër poetik , i sapodalë nga shtypi, është i ndërtuar prej gjashtë cikleve përmes binomit të pandashëm atdhe – dashuri, që e karakterizon thuaja gjithë krijimtarinë e tij dhe,vlerësohet lart nga njohësit e kësaj fushe, të cilët janë marrë me përgatitjen e tij për botim apo edhe që e kanë vlerësuar paraprakisht.
Nexhat REXHA
(redaktor i librit)
GRAFITET POETIKE TË SABITIT
Sabit Rrustemi, edhe me librin e tij më të ri, vjen si kërkimtar e ruajtës i substancës shpirtërore e kombëtare. Ai vrojton, përjeton të gjitha dramat e kohëve. E ndjen të veçantën për ta idealizuar në konkreten, duke i dhënë asaj ngjyrën sa më origjinale, sa më autentike, e lexuesi i vëmendshëm e përjeton edhe vargun e dashurisë, edhe vargun e kristalizuar për të mirën e munguar në këtë atdhe.
Liria si mungesë e njohjes për të vlerësuar rolin e saj, për të saktësuar qëllimin e saj në ndërtimin e atdheut, sa shumë dilema mashtruese shtron liria. Ajo hapëron herë bardh e herë zi, rezulton me prijësit tanë, që ngatërrojnë dashurinë, po cilën dashuri !? Cila është ajo? Sabiti bukur ka ironizuar në disa poezi të këtij vëllimi. Po athua, cila shtresë pushtetarësh është kjo? Ata të cilët shohin vetëm afër vetes, vetëm epshin “nëpër vithe femrash”, kurse lidhja e tyre me librin, diturinë janë pamjet krejtësisht të boshatisura në brendi, ani pse vitrinat e tyre mund të duken bukur me libra të dhuruara. Ky paradoks i kësaj epoke me hipokrizi ndaj njeriut të librit të mirëfilltë, largon fuqinë mendore, lë anash atë për të mos u dukur miopia e tyre.
Libri “Grafite nënlëkurore”, brenda vetes ka shtruar aktualen në leximin a grafiteve shpirtërore, si thesar i kësaj bote, që arrin të mbijetojnë me frymën e idealin e këtij populli. Vargjet ngërthejnë e ruajnë dashurinë, për të ndriçuar rrugët, që nuk shterojnë, përkundër pakënaqësive të akumuluara brenda kësaj kohe, se po e ndjejmë, e përjetojmë dekadën e parë të Pavarësisë së shtetit tonë Kosovë.
Zejnepe Alili – REXHEPI
( recensente e librit )
PËRDITSHMËRIA SI FRYMËZIM
Vëllimi më i ri poetik “Grafite nënlëkurore” është sajuar mbi arkitekturën e përditshmërisë, qoftë si rrjedhë frymëzimi shpirtëror, që reflekton lirizëm ndjesor me ndërthurje vlerash estetike, qoftë me rezonanca të thekshme filozofike, me thellësinë e një përshkrimi faustian. Në vepër, hasen poezi ku rrëfehet shpirti, me ritmet e një parandjenje se kaosi në vargje lind nga kaosi në shoqëri! E pastaj, ato vargje shpërndajnë mesazhe fjalësh që shkrepen si rrufetë e shpirtit.
Sabit Rrustemi është poet me vizion të qartë që sendërton vargun plot sarkazëm, përmes të cilit i nënqesh aktualitetit dhe rregullave fikse…, megjithëse në to përthyhet bota e folësit lirik kur vërshojnë stuhitë e dhembjes dhe shpirti i poetit trazohet…
Prend BUZHALA
( poet e kritk letrar )
NGA MURALET DERI TE GRAFITET…
Nga muralet ikonike të frymës artistike, deri te grafitet që lënë gjurmë shpirti e ngjyrë metaforike meditimiesh, këndimesh, idealesh, ëndrrash, enigmash të ekzistimit, pritjesh, frymësh, botësh, kohësh, ndjesish, ecjesh, përjetësish e, mbi të gjitha, dashurish… sepse ” Kjo botë/ është krijuar prej saj/ dhe do e ecim/ do e ecim pambarim”. Grafite që nuk mund të shlyhen nga kurrfarë stuhie motesh, sepse janë mbi-mote, mbi-kohë… Mbi-meaforë. Imazhe të thurura mbi tekst-grafite…
NGA I NJEJTI AUTOR, kemi edhe këto botime:
“KU I LA LISAT ERA ” Rilindja, Prishtinë, libër ky i dorëzuar që në vitin 1981, redaktuar nga poeti i mirënjohur Ali Podrimja.
“BESOJ NË NJË DIELL”, Fjala 1992 Prishtinë.
“VARIACIONE PËR LIRINË”, Rilindja, 1997, Prishtinë.
“ËNDRRA QË PUTHET”, poezi, Rozafa, 2001, Prishtinë.
“PIKA E ZEZË”, përmbledhje tregimesh, Flaka e vëllazërimit, Shkup, 1993.
“MASKA E MYSAFIRËVE” SH.B. Buzuku, Prishtinë, 1997.
“JETËSHKRIMI I SYLË KOPERNICËS”, prozën dokumentare 1994, Shtëpia Botuese “Plejada” botues, Beqir Musliu.
“NATYRË ME VAJ”, album poetik, Shtëpi Botuese Plejada, Prishtinë me parathënie të Beqir Musliut.
“PAQJA E BRISHTË”, bot. Rozafa, Prishtnë, 2007
“SHIU I BUZËVE TUA”, bot. Rozafa, Prishtnë, 2009
“ANTINGERE DIVINA / Prekje hyjnore (përkthyer në gjuhen rumune nga Baki Ymeri), Bukuresht, 2009
“NËN QERPIKUN TËND, poezi, T-KOM, Shkup 2009
“ZJARRI E KTHJELLTË, poezi, Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, Gjilan, 2011
“NË FYTYRËN E NJË GJETHI”, poezi, Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, 2012
“MURALE SHPIRTI”, poezi, Shtëpia Botuese “Rozafa”, 2013